Një vëzhgim i realizuar nga emisioni “Xhadat” në MCN TV, në disa tregje të Tiranës nxjerr në pah shqetësimin në rritje të qytetarëve për çmimet e produkteve bazë, të cilat sipas tyre janë bërë të papërballueshme.
Pensionistët janë ndër më të prekurit nga kjo situatë. Një prej tyre u shpreh se ka hequr dorë nga konsumimi i produkteve si frutat, djathi dhe mishi për shkak të çmimeve të larta.
Ai tregoi gjithashtu se edhe duhanin e kishte marrë me borxh, ndërsa shtoi se fëmijët e tij, të cilët kanë familjet e tyre për të mbajtur, nuk kanë mundësi ta ndihmojnë financiarisht.
Nga ana tjetër, një tregtar që shet duhan tha se kohët e fundit është rritur numri i të rinjve që blejnë duhan me qese, pasi paketat janë bërë më të shtrenjta.
Ndërkohë, tregtarët e fruta-perimeve theksojnë se rritja e çmimeve lidhet kryesisht me kostot e larta të naftës, e cila ndikon drejtpërdrejt në transportin dhe furnizimin e produkteve.
Deputetja Jorida Tabaku u shpreh se rritja e çmimeve është e pamohueshme dhe ndihet drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve. Sipas saj, situata nuk lidhet vetëm me zhvillimet globale, por edhe me mungesën e konkurrencës së lirë në treg, që ka çuar në krijimin e monopoleve dhe oligopoleve.
Ndërkohë, deputeti Klevis Balliu deklaroi se çmimi i naftës ka dalë jashtë kontrollit dhe se inflacioni për produktet e shportës ka arritur rreth 10%. Ai akuzoi se mbi çmimin e naftës aplikohet mbitaksim dhe se, sipas tij, qeveria ka interesa fiskale që rëndojnë mbi qytetarët.
Eksperti i ekonomisë Vjoldi Danaj theksoi se çmimet ndikohen ndjeshëm nga faktorët gjeopolitikë dhe sidomos nga paqëndrueshmëria e çmimit të naftës. Ai paralajmëroi se në situata të tilla shpesh ka edhe abuzime në treg.
Sipas tij, është e nevojshme forcimi i institucioneve, rritja e monitorimit të çmimeve të produkteve bazë dhe krijimi i një agjencie të pavarur për mbrojtjen e konsumatorit.
Rritja e çmimeve mbetet një ndër shqetësimet kryesore për qytetarët, veçanërisht për shtresat më të ndjeshme, të cilat po përballen çdo ditë me vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë.



