Përçudnimi i Parlamentarizmit

Përçudnimi i Parlamentarizmit

 

Analizë nga Denis Dyrnjaja 

 

Partia Socialiste dikur ishte tru, debat, dije, mendim kritik dhe përfaqësim dinjitoz. Sot është gjithnjë e më shpesh status, story, reagim impulsiv në rrjetet sociale, që zëvendësojnë tezat politike. Nga një formacion politik që prodhoi figura si Dritëro Agolli, Fatos Nano, Ethem Ruka, Musa Ulqini, Namik Dokle, Ermelinda Meksi apo Mojkom Zeqo e shumë të tjerë, PS ka rrëshqitur drejt një realiteti kapacitetet intelektuale janë zëvendësuar nga kapacitetet virtuale. 

 

Reagimet e deputetëve të rinj të PS-së shpesh me një frustrim apo agresion të panevojshëm ose në tejkalim e me një fjalor që lë më shumë për të dëshiruar sesa për të admiruar ndaj kundërshtarëve, janë simptomë e degradimit të një force politike që kishte si referencë kryesore mendimin elitar dhe demokratik. 

 

Tani në vend të artikulimit të ideve, kemi meme politike. Në vend të analizës, kemi fraza të hedhura për efekt publik. Në vend të përfaqësimit, kemi vetëpromovim, ose promovim të orientuar. 

 

Është një ndryshim i mirëkalkuluar, që zëvendëson debatuesit me duartrokitës, mendimin me bindjen e verbër dhe garën me miratimin nga lart-poshtë. Parlamenti shqiptar sot nuk është më vendi ku përplasen idetë, por ku projektohen ambiciet personale në formën më të lehtë dhe të zbrazët të tyre.

 

Ajo që dikur ishte një parti që formësonte elita, sot është kthyer në një strukturë që promovon rendin e disiplinës dhe performancës sipërfaqësore. Dhe këtë e shohim qartazi në Kuvend, ku pas çdo reagimi të ashpër nga ndonjë deputet i ri, ka më shumë jehonë në rrjete sociale sesa në mendjen e publikut.

 

Përçudnimi i parlamentarizmit nuk është thjesht mungesë kulture politike. Është zëvendësimi i modelit të mendimit me modelin e reagimit. Është vdekja e përfaqësimit dhe ngritja e influencerëve politikë.

 

Kjo është koha kur Kuvendi nuk ka më nevojë për ekspertizë dhe konsulencë ligjore dhe teknike legjislative. Dhe kjo është arsyeja pse ata që dikur përfaqësonin dije, sot ndihen të huaj në një sallë ku mendimi e ka humbur të drejtën e fjalës dhe fjala ka zënë hapësirën e kotësisë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy