
Në ditën e 12-të të protestës, studentët vazhdojnë rezistencën tyre pavarësisht shiut dhe motit të ftohtë.
Ata i kanë bërë thirrje qytetarëve ti bashkohen protestës së tyre.
Studentët vijojnë të kërkojnë me ngulm plotësimin e pikave të adresuara me shkresë zyrtare tek kryeministria.
Ata vazhdojnë të jenë të vendosur se nuk do të ketë asnjë dialog dhe negociata me shefin e ekzekutivit pa i plotësuar më parë të 8 pikat, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga kryeministri.
Me pankartat në duar "Mos u dorëzo sot, se do pendohesh nesër", studentët edhe pse ishin të pakët në numër nuk u ndalën por vazhduan që ti bënin thirrje kreut të qeverisë që të protësojë kërkesat e tyre.
Por ndryshe nga disa ditë më parë, kur studentë të mbledhur para Ministrisë së Arsimit refuzuan banorët e zonës së Astirit në kryeqytet, që protestojnë për një tjetër kauzë nga ajo e tyre, këtë herë grupi që proteston para Kryeministrisë i ka mirëpritur ata.
Të gjithë së bashku po protestojnë tashmë si për kërkesat e studentëve, edhe për prishjen e ndërtimeve të paligjshme në zonën e “Astirit”, të prekura nga projekti i “Unazës së madhe”.
"Ne na bashkon padrejtësia e madhe. Sepse ata janë qytetarë dhe të gjithë janë të ftuar të protestojnë para kryeminsitrisë" tha një student.
Banorët bëjnë thirrje me megafon duke përkrahur studentët!
Ardhja e tyre u priten me duartrokitje dhe ovacione, pasi sipas tyre ata sot nuk po vijnë vetëm për shtëpitë që do prishen si pasojë e projektit të Unazës, por dhe si prindër të fëmijëve që dërgojnë në universitet,
"Kemi një kauzë të përbashkët. Drejtësia! Na janë shkelur të drejtat! Këtu jam si prind për të mbështetur të drejtat e fëmijëve të mi, studentë! tha një banore.

Ndërsa për protestën ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama i cili ka publikuar në Instagram një fotografi nga ajri, ku shikohet një numër i paktët i protestuesve para Kryeministrisë.
Sipas Ramës një grusht i vogël njerëzish që është në protestë po mban peng mijëra studentë dhe nuk i lejojnë ata të dialogojnë.
Kryeministri shkruan se dialogu do zhbllokohet dhe se qeveria do të hapë një kapitull të ri për Universitetin.
"Sidoqoftë farsa e kësaj barrikade absurde kundër Dialogut, s’ka për të zgjatur sa ka zgjatur. Dialogu do zhbllokohet, Arsyeja do fitojë dhe së bashku ne do të hapim një kapitull të ri për Universitetin", shkruan Rama.



