Profesori i Arkitekturës së Peizazhit Zydi Teqja tregoi në emisionin “Arnautistan” se si u fut ky program për herë të parë si program studimi në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Teqja tha se konstaton një lidhje mes programeve të studimit në Arkitekturë Peizazhi dhe nivelit të zhvillimit demokratik të vendeve.
Profesioni i arkitektit të peiazazhit është realtivisht i ri edhe në botë. Programi i parë universitar është themeluar në 1900-ën, në fillim të shekullit XX. Unë kam ardhur te arkitektura e peizazhit përmes ekologjisë. UBT ka qenë i pari në vitet 80’ që futi ekologjinë në kurrikulat e studimeve universitare. Një nga degët e ekologjisë është ekologjia e peiazazhit. Kontaktet e para i kam pasur në këtë periudhë. Ne kemi filluar në UBT nga viti 2000 të japim një lëndë, që gabimisht është quajtur në fillim Arkitekturë e Mjedisit. Arkitektura e Mjedisit nuk ekziston, është gabim logjik. Kurse Arkitektura e Peizazhit u krijua për herë të parë Frederick Law Olmsted, arkitekti i famshëm i Central Park të Nju-Jork-ut. Ai ishte promotori i parqeve publike si instrumente të zhvillimit urban, për të garantuar të drejtën e të gjithë qytetarëve për të pasur një hapësirë për të pushuar. Ky profesion është zhvilluar i lidhur me të drejtat e njeriut dhe demokracitë e vendeve. Ideja që unë konstatoj është që ka një lidhje mes programeve të studimit në Arkitekturë Peizazhi dhe nivelit të zhvillimit demokratik të vendeve. Po të marrim indekset e demokracisë që publikohen nga ‘Freedom House’, mbi 80 për qind e programeve në arkitekturë peizazhi janë në ato vende që klasifikohen si vende pak a shumë demokratike. Programet patën një rritje të madhe pas rënies së Murit të Berlinit”.



