Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, shprehet se Rusia ka bërë plane të pamenduara mirë, pasi Ukraina, ka vendosur që të mbrojë vendin e tij.
Në studion e lajmeve të MCN TV, ai tha se, me forcat e dislokuara, Rusia nuk e pushton dot Ukrainën, ndaj thotë se është e detyruar që të ndryshojë planet e saj, ose të ngrejë kapacitetet, të cilat kërkojnë kohë, ndaj shtoi ai plani strategjik duket i dështuar.
Sipas tij, janë dy javë luftime ku 50% e ukrainasve janë të vendosur të luftojnë deri në fund, ndërsa shtoi se është një luftë nga e cila Rusia nuk del dot.
Imami tha se pushtimi i Ukrainës nuk do i vlente ndoshta dot Rusisë në afatgjatë, por mund ti duhet një vend satelit.
Institucionet ndërkombëtare kanë rëndësi, por duhet të kthehemi tek një politikë realiste. Ajo që vendos më në fund është fuqia. Shteti, si aktor themelor në sistemin ndërkombëtar, ka detyrë që të sigurojë veten e tij. Gjermanët janë të rrezikuar nga sulmi rus në Ukrainë. Iu është kërkuar ndër vite që të ngrenë buxhetin e luftës, nuk e ka përmbushur këtë. Po ta themi në mënyrën më të keqe, Gjermania ka zhvilluar një politikë detante me Rusinë dhe se duhet të jetë e aftë të mbrojë veten. Një Gjermani që rrit buxhetin e luftës në mënyrë të menjëhershme, mbron veten e vetë. Edhe Shqipëria duhet ta rrisë buxhetin e vetë për mbrojtjen. 2% duhet të jetë detyrim, por për fat të keq qeveria e ka ulur në këto vite buxhetin për mbrojtjen.
Lidhur me planin e mbrojtjes, ai tha se Shqipëria nuk kërcënohet aktualisht nga ndonjë fqinj për agresion.
NATO ka bërë të qartë se nuk është e gatshme dhe nuk legjitimohet të hyjë në një luftë për shkak se aleanca nuk ka një marrëveshje me Ukrainën. Duhet patur dhe kujdes që përgjigjet të jenë proporcionale kundrejt Rusisë, në mënyrë që të mos rritet kundërveprimi. Edhe Rusia nuk ka interes për të ecur në spirale, por Kremlini është në pozitë më të vështirë psikologjike ndaj mund të marrë vendime disporporcionale. SHBA dhe NATO do e kenë kujdes këtë pjesë, por sigurisht që nuk do të braktiset siguria e Europës, e cila është cenuar rëndë me ndërhyrjen në Ukrainë”.



