Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International akuzon Izraelin për gjenocid kundër palestinezëve që nga fillimi i luftës në Gaza, në një raport të publikuar së fundmi.
“Një fakt i tillë duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi për komunitetin ndërkombëtar. Ky është një gjenocid që duhet të marrë fund tani”, shpreson organizata e cila pretendon se është bazuar në deklaratat gjenocidale dhe çnjerëzore nga qeveria izraelite, në veçanti imazhet satelitore që dokumentojnë shkatërrimin e territorit dhe kërkimet në terren me banorët e Gazës mes 7 tetorit 2023 dhe korrikut 2024.
“Muaj pas muaji, Izraeli i ka trajtuar palestinezët e Gazës si një grup njerëzish të padenjë për respektimin e të drejtave dhe dinjitetit të njeriut, duke demonstruar synimin për t’i shkatërruar fizikisht ata”, tha Sekretarja e Përgjithshme e Amnesty International, Agnes Callamard.
Që nga sulmi i Hamasit, i cili shkaktoi luftën e vazhdueshme në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023, Izraeli e ka mbrojtur ofensivën e tij me dëshirën për të çrrënjosur lëvizjen islamike.
“Le të jemi të qartë, objektivat ushtarakë mund të përkojnë me qëllimet gjenocidale”, këmbënguli Agnes Callamard gjatë një konference për mediat në Hagë.
Raporti prej 300 faqesh citon shembullin e 15 sulmeve ajrore të kryera ndërmjet 7 tetorit 2023 dhe 20 prillit 2024, të cilat thuhet se vranë 334 civilë, përfshirë 141 fëmijë, dhe për të cilat organizata nuk gjeti prova se ato ishin drejtuar drejt objektivave ushtarake.
Që nga fillimi i luftës, të paktën 44.532 persona kanë vdekur në Gaza, shumica e tyre civilë, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë e Hamasit për Gazën, të konsideruara të besueshme nga OKB-ja.
Amnesty nënvizon gjithashtu kushtet e jetesës së palestinezëve në Gaza, ku ata janë subjekt i kequshqyerjes, urisë dhe sëmundjeve, të cilat i ekspozojnë ata ndaj një vdekjeje të ngadaltë dhe të llogaritur.
“Shtetet që dërgojnë armë në Izrael shkelin detyrimet e tyre për të parandaluar gjenocidin dhe rrezikojnë të bëhen bashkëfajtor në të”, akuzoi më tej Agnes Callamard.



