Një sërë institucionesh shtetërore do t’i nënshtrohen një ristrukturimi në mandatin e dytë të qeverisjes së PS-së. Një numër i madh drejtorish do të shkrihen, për t’u bashkuar në një. Kështu Doganat dhe Tatimet do të bëhen bashkë. Gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së, Niko Peleshi tha se do të bëhet organizimi i një agjencie të bazës qëndrore të të dhënave, dixhitalizimit të regjistrave të cdo institucioni pasi dobësitë e sistemit qeverisës janë të dhënat, statistikat. “Sektori i statistikës të forcohet”, tha ai.
Peleshi tha se do të ketë shkrirje të institucioneve me funksione të njëjta si dhe ata me shumë persona në staf.
“Kemi parë që Shqipëria ka një numër të madh institucionesh të varësisë, 500 agjenci të ndryshme të shpërndara në mënyrë jo proporcionale. Kemi 24 tipologji të ndryshme të institucioneve të varësisë.
Propozojmë 104 agjenci qëndrore, kemi shkrirë institucionet me funksione të njëjta dhe ata me 10 persona në staf. Te ministria e Financave do të shkrihen Doganat dhe Tatimet, me emërtimin Agjencia Kombëtare e të Ardhurave ” tha Peleshi.



