
Një martesë e palumtur, që zgjati 47 vjet, merr fund sonte në mesnatë. Ora 12:00 e natës shënon largimin e saj nga Bashkimi Evropian, çka çon në fund vullnetin e britanikëve të shprehur me votë në referendumin e qershorit 2016, kur 52% e tyre votuan në favor të Brexit. Ishte një rrugë e mundimshme dhe e ashpër.
Referendumi tre vjet e gjysmë më parë nuk e qetësoi aspak kundërshtimin e madh midis atyre që ishin pro qëndrimit në BE dhe atyre që kërnonin shkëputjen. Përkundrazi, referendumi thjesht e acaroi më tej situatën. Kundërshtarët e Brexit kanë bërë gjithçka për ta ndaluar atë dhe kjo ka paralizuar disa herë Parlamentin dhe politikën britanike.
Në fund, kostot i pagoi Theresa May, kryeministrja që pas përfundimit të referendumit ishte ngarkuar për zbatimin e tij. Situata mori drejtim vetëm me zgjedhjet dhjetorin e kaluar, kur Boris Johnson fitoi shumicën dërrmuese dhe një mandat të fortë për të çuar në fund largimin e Britanisë nga BE-ja. Dhe ashtu rezultoi.
Sidoqoftë, çështja nuk është mbyllur ende, pavarësisht se qeveria e Londrës këmbëngul se ka ardhur koha për të kthyer faqen. I gjithë viti 2020 do të karakterizohet nga negociatat, që do të përcaktojnë marrëdhëniet e ardhshme midis Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian: synohet një traktat ambicioz i tregtisë së lirë, por vështirë se do të përfundohet në kohë.
Pra rreziku është që një shkëputje dramatike dhe përfundimtare të materializohet në fund të vitit. Por për qeverinë e Boris Johnson, ka edhe një sfidë tjetër: ajo e brendshme. Atij do t’i duhet ta mbajë vendin të unifikuar presioneve për ndarje të Skocisë Pro-Evropiane dhe sirenave të ribashkimit irlandez. Në fund të fundit, çmimi që duhet paguar për daljen nga Unioni mund të rezultojë shumë i lartë. / Corriere.it / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



