
Lektorja e Antropologjisë për Europën Juglindore Eli Krasniqi përmes një lidhje skype në edicionin e lajmeve në MCN TV foli mbi Kongresin Ndërkombëtar të Antropologjisë, aktivitet i zhvilluar në datat 15-18 shtator në Graz të Austrisë.
Ajo u ndal te kultura vizuale, duke vënë në dukje se pikëtakim për vendet e Evropës Juglindore është përvoja në regjimin komunist.
Krasniqi thotë se periudha digjitale i ka përbashkuar përvojat, sidomos të gjeneratës së re që është më afër rrjetet sociale. Krasniqi tha se ka një dallim të arkivave shtetërore dhe private lidhur me dokumentimin e të shkuarës.
Kultura vizuale përfshin një spektër të gjerë studimesh prej disiplinash të ndryshme. Fokusi ka qenë te globalizmi, aspektet e gjinisë, rezistenca, pushteti. Në kohën e mediave sociale, digjitale, ka një shtrirje më të madhe pamja se sa teksti. Edhe historikisht ka pasur mungesë vëmendje në aspekt të imazhit. Kemi konsideruar që është rast i mirë për ne ta marrim si temë në shtjellim. Kam kënaqësinë të tregojë që prej dy vjetësh nikoqiri do të jetë në Tiranë ose Durrës prej Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit. Çdo vend në Evropë ka kontekstin e vet historik, politik, shoqëror, kulturor. Në Evropën Juglindore pikëtakim është përvoja në regjimin komunist, por secili vend ka nuancat e veta. Kjo në një aspekt i bashkon, por jo domosdoshmërisht. Tema ime ka të bëjë me racën. Mendoj që periudha digjitale i ka përbashkuar përvojat, sidomos të gjeneratës së re, që është më afër rrjeteve sociale.
Në kërkimet shkencore mundësia për të pasur qasje në arkiva, ka qenë më e lehtë se sa në vendet tona. Jam shumë krenare që ne kemi mbërritur të kishim dy panele specifike për feminizmin dhe rezistencën. Nuk di të them nëse janë ngurtësuar këto modele vizuale. Një model është paraqitja e burrave si heronj në Evropën Juglindore, por shoqëritë tona tashmë e kanë kaluar këtë lloj estetike. Një dokumentim i përvojave të kaluara në Evropën Juglindore ka ndodhur, çështja është si do mund të kemi qasje në këtë lloj dokumentimi. Në Kosovë akrivat shtetërore të japin tjetër pamje të komunizmit nga arkivat private. Në Jugosllavi s’ka qenë problem retushimi se sa njëanshmëria e rrëfimit për të tashmen socialiste. Arkivat private japin komplet një narracion tjetër, për pamjet. Ajo që dokumenton pushteti është ndryshe nga narracioni që ndërtojnë qytetarët, përtej shtypjes. Në vendet tona është një kërkim i ri pasi s’kemi shumë vjet që kemi dalë nga regjimi komunist”.



