Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në kryeqytet, ku një autobus i linjës së Unazës, ka përfunduar në lumin Lanë.
Sipas informacioneve paraprake, autobusi ka qenë me pasagjerë, ndërsa ende nuk dihen detaje të tjera nëse ka të plagosur.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë:
Më datë 29.04.2022, rreth orës 20:10, në afërsi të Kinema Agimi, një autobus është përplasur me një automjet, dhe si pasojë drejtuesi i autobusit ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij, dhe ka rënë në Lumin Lana.
Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar dhe janë paraqitur në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën dy pasagjerët e automjetit që u përplas me autobusin.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, se në afërsi të Kinema Agimi, një autobus është përplasur me një mjet dhe si pasojë ka rënë në Lumin Lana, bëjmë me dije se janë paraqitur për kontroll mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, shtetasit M. K., 62 vjeç, (drejtuesi i autobusit), A. K., 61 vjeç, (faturino), pasagjerja e autobusit, shtetasja F. Ç., 64 vjeçe, shtetasi J. R., 27 vjeç (drejtuesi i mjetit) dhe shtetasi A. H., 27 vjeç, (pasagjeri i mjetit).
Ndërkohë, për ngjarjen ka reaguar edhe drejtori i Policisë Rrugore, Taulant Gjoka. Sipas tij, aksidenti “në dukje është i rrezikshëm, por pa fatalitete”.
Gjithashtu ai tha për media se si pasojë e aksidentit janë lënduar pesë persona, ndërsa specialistët po shohin pistat për të parë shkaqet e aksidentit, nëse bëhet fjalë për një defekt teknik apo gabim njerëzor nga ana e drejtuesve të mjeteve.



