
KQZ i është përgjigjur me anë të një shkrese kërkesës së Presidencës lidhur numrin e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, si edhe shpërndarjen e tyre në zonat elektorale.
“Numri aktual i mandateve të deputetëve të Kuvendit është 122 deputetë”, thuhet në përgjigjen e KQZ, të cilës i mungon firma e kryetarit Klement Zguri.
Përgjigjja e KQZ-së vjen pas shkresës zyrtare që Presidenca i dërgoi më datë 14 qershor, duke i kërkuar t’i vihet në dispozicion lista shumë emërore e deputetëve të Kuvendit, pas dorëzimit të mandateve të deputetëve të opozitës dhe zëvendësimit të tyre.
Kërkesa e drejtuar KQZ-së erdhi vetëm 24 orë pasi Kuvendi votoi me 100 vota pro rezolutën kundër presidentit Ilir Meta. Në një prononcim pak ditë më parë, Meta la të kuptohet se e konsideron ilegjitim Parlamentin.
"Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti. Jo nga ky, nga një parlament legjitim. Por presidenti i takon republikës. Besoj se jam i qartë. Shqipëria është republikë, presidenti i takon republikës", tha kreu i shtetit.



