
Kosova po kërkon anëtarësim në NATO përmes një procesi të përshpejtuar sikurse edhe vendosjen e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane në Kosovë. Kërkesa është bërë nga Ministria e Mbrojtjes, pas rrezikut të sulmit të Rusisë në Ukrainë.
Në një lidhje skype nga Kosova, koloneli i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Sefer Isufi deklaroi se nuk ka arsye që Kosova të ndjehet e frikësuar, ndërsa theksoi se duke u nisur edhe nga agresioni rus në Ukrainë është momenti i duhur që ajo të anëtarësohet me proces të përshpejtuar.
Isufi tha më tej se me mbështetjen e aleatit të tyre më jetik dhe të pazëvendësueshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpreson dhe beson se do të arrijnë qëllimin e tyre.
Intervista e plotë
Z. Isufi, pse tani kjo kërkesë. Ka një kërcenim të sigurisë në Kosovë?
Absolutisht nuk kemi asnjë arsye të kemi frikë apo rrezik që cenon sigurinë e vendit por mendoj se është momenti i duhur për të përsëritur njërin nga objektivat tona për anëtarësimin në aleancën e NATOs duke pasur parasysh dhe situatën e krijuar pas agresionit rus por dhe vizionin tonë të përhershëm se ndajmë vlera të përbashkëta të demokracisë, paqes, lirisë që janë dhe baza e vlerave euroatlantike. Kemi vlerësuar se është momenti i duhur që Kosova të anëtarësohet me proces të përshpejtuar në NATO, kjo edhe pas agresionit rus ndaj Ukrainës.
2.Z. Isufi, 4 shtete të NATO-s, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja nuk e kanë njohur Kosovën, duke e bërë të vështirë plotësimin e kësaj kërkesë të bërë publike nga Ministri I Mbrojtjes, Armend Mehaj. A ka komunikim të shtuar me këto shtete, që të ketë rishikim të vendimit dhe njohje të Kosovës?
Ne kemi qenë të vetëdijshëm se ky proces nuk mund të realizohet pa njohjen e 4 shteteve mosnjohëse të Kosovës. Kërkesa e Mehës fillimisht ka qenë publike që të lobojnë dhe ftojnë dhe ndajnë tregimin e së vërtetës mbi Kosovën dhe qytetarët e saj dhe realitetin e 14 viteve të saj e cila njihet tashmë nga mbi 100 vende anembanë botës. 4 shtetet mosnjohëse pas agresionit rus në Ukrainë duhet të gjykojnë dhe duhet të ndajnë për ne të mirën dhe stabilitetin e vendit tonë.
Z. Isufi, SHBA në Kosovë ka 635 ushtarë të cilët në kuadër të misionit të NATO-s ruajnë “paqen e brishtë” në këtë pjesë të Ballkanit. Dje Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla Shvarc tha se Kosova po kërcënohet me spiunazh dhe sabotime që vijnë nga Rusia përmes Serbisë, ndërsa është shtuar edhe numri I punonjësve të policisë në veri të Kosovës. Ka masa të tjera të shtuara?
Vlerësojmë se me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si aleti ynë jetik dhe i pazëvendësueshëm me të cilin kemi ndërtuar gjithçka deri tani kemi vlerësuar se një shtytje apo qasje do të ishte një kontribut i madh për të krijuar akordancën me shtetet mosnjohëse për të arritur qëllimin tonë. Kemi vlerësuar se dhe me mbështetjen e Turqisë dhe shtetit tonë vëlla Shqipërisë të gjendet një gjuhë e përbashkët që dhe Kosova të jetë anëtare e NATOs dhe të japë kontributin e saj për sigurinë dhe paqen.



