
Presidenti amerikan Joe Biden do të dërgojë të tjerë trupa në Evropë këtë javë mes frikës së vazhdueshme për një pushtim rus të Ukrainës, thotë Pentagoni.
BBC raporton se rreth 2 mijë trupa do të dërgohen nga Fort Bragg që ndodhet në Karolinën e Veriut drejt Polonisë, Gjermanisë, dhe 1 mijë të tjerë që ndodhen në Gjermani do shkojnë në Rumani.
Rusia mohon se planifikon të pushtojë Ukrainën, por ka vendosur rreth 100 mijë trupa pranë kufijve të këtij shteti.
Moska kundërshton ashpër anëtarësimin e Kievit në aleancën ushtarake të NATO-s.
Tensionet vijnë tetë vjet pasi Rusia aneksoi gadishullin jugor të Krimesë të Ukrainës dhe mbështeti një rebelim të përgjakshëm në rajonin lindor të Donbasit.
Moska akuzon qeverinë ukrainase për dështimin në zbatimin e marrëveshjes së Minskut, një marrëveshje ndërkombëtare për të rivendosur paqen në Lindje, ku rebelët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë një pjesë të territorit dhe të paktën 14 mijë njerëz janë vrarë që nga viti 2014.
Është me rëndësi që ne t’i dërgojmë një mesazh të fortë Putinit dhe botës se NATO ka vlerë për Shtetet e Bashkuara dhe ka rëndësi për aleatët tanë, u tha gazetarëve zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.



