
Juristi Ledio Braho thotë se reforma zgjedhore bëhet nga faktorët politikë dhe është për tu parë se si do të vijojë më tej.
Në një lidhje për MCN Live, ai deklaroi se brenda opozitës ka një konflikt të nisur brenda shtatorit 2021 se kush është opozita në parlament dhe ky konflikt brenda opozitës përcillet dhe në komisionin e reformës zgjedhore.
Sipas Bardhi dhe disa deputetëve të pozitës bashkëkryetari ka të drejtën e vetos. Por në fund reforma zgjedhore duhet të kalojë me 84 vota.
Këto janë ngërçe parlamentare që vijnë si pasojë e sjelljes joprofesionale nga kryetari i Kuvendit që kërkon të përcaktoj se kush është bashkëkryetari i reformës zgjedhore.
Rreziku që i vjen reformës është çështja e afatit, sa më shumë të zvarritet çështja e ngritjes së komisionit, kjo do të sjellë vonesa në zbatimin.
Reforma zgjedhore sipas rekomandimeve duhet të përfundojë në mesin e muajit prill të këtij viti.
Por me sa duken gjasat, është e vështirë të kemi një reformë zgjedhore deri në mes të prillit të këtij viti, pasi reforma duhet të përfundojë një vit para zgjedhjeve.
Shqetësues është fakti që ky komision do e nisë punën me pozicione të caktuara nga palët.
Rekomandimet e OSBE-ODHIR janë pikat kryesore të cilat duhet të diskutohen nga komisioni i reformës zgjedhore.
Nuk di për kaq kohë sa ka ngelur do ketë vend për negocim. Nëse në fund do miratohet një reformë me votat e PS dhe zotit Basha, nuk do jetë gjithëpërfshirëse dhe kjo e minon reformën zgjedhore.
Mënyra se si po funksionon parlamenti aktualisht më duket e vështirë që të ketë një reformë zgjedhore dhe aq më shumë që të jetë gjithëpërfshirëse.
Gjithë partitë politike parlamentare, detyrimin kryesor kanë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ka të bëjë me herësin, të cilin PS e futi në mënyrë të njëanshme.
Kemi dhe votën e diasporës për të cilën Kushtetuesja i ka lënë një afat Kuvendit për ta mundësuar.
Nëse do hyhet në zgjedhje pa ndryshuar Kodin Zgjedhor, do bëhet e pamundur ndarja e mandateve dhe nëse nuk zbatohen listat e hapura për 2/3 e kandidatëve, mund të gjendemi para zgjedhjeve anti-kushtetuese.
Këto janë pikat që me reformë apo pa reformë, parlamenti duhet t’i adresojë që të gjejë një zgjidhje.
Lidhur me dekretin e Presidentit Bajram Begaj, për ndryshimet në ligjet për komisionet hetimore parlamentare, Braho deklaroi se me ligjin e ri opozita është shumë më e kufizuar për të thirrur komisione hetimore.
Në këtë drejtim shtoi se në mënyrë që një komision hetimor të ngrihet, do të ndodhë vetëm kur të jetë vullneti i mazhorancës dhe do të jetë me dyer të mbyllura si dhe nuk do të thirren dëshmitarë.
Sipas tij, i vetmi mjet që kishte opozita në duar për të hetuar mazhorancën, ekziston de juro, por jo de fakto.



