Mungesa e vitaminës D, shpesh lidhet me dhimbje kockash dhe rrezikun e infeksioneve virale të frymëmarrjes. Prandaj nuk është për t'u habitur që studime të shumta janë kryer për të verifikuar lidhjen midis kësaj vitamine të çmuar dhe COVID-19, infeksioni i shkaktuar nga koronavirusi SARS-CoV2.
Studimi "Roli i vitaminës D në parandalimin e infeksionit dhe vdekshmërisë nga Sëmundja Coronavirus 2019", përcaktoi se në vendet ku mungesa e vitaminës D ishte më e përhapur vdekshmëria nga COVID-19 ishte më e lartë.
Përtej lidhjes me pandeminë, të kesh nivele adekuate të vitaminës D është ende e rëndësishme për shëndetin. Për të ditur nëse jeni me mangësi apo jo është e nevojshme të bëni analiza gjaku, megjithatë ka edhe simptoma që mund të sugjerojnë këtë gjendje. Në mesin e tyre ka edhe glossodynia, e njohur edhe me emrin djegia e gojës.
Në studimin "Sindroma e gojës së djegur, rezultatet e testeve të shqyrtimit për mangësitë e vitaminave dhe mineraleve, hormonet tiroide dhe nivelet e glukozës-përvoja në Klinikën Mayo gjatë një dekade", u zbulua se në mesin e pacientëve të prekur nga sindroma e djegies së gojës, mungesa e vitaminës D ishte një nga kushtet më të zakonshme, së bashku me mungesën e vitaminës B2.
Në afërsisht 700 pacientë me sindromën e djegies së gojës të ndjekur gjatë një dekade, mangësitë më të zakonshme ishin ato të vitaminës D3 (15 përqind); vitamina B2 (15 përqind); vitamina B6 (5.7 përqind); zink (5.7 përqind); vitamina B1 (5.3 përqind); tirotropin (TSH) (3.2 përqind); vitamina B12 (0.8 përqind) dhe acidi folik (0.7 përqind).
Në dritën e këtyre rezultateve, studiuesit e udhëhequr nga Dr. Claudia S. Morr Verenzuela theksojnë se ata që përjetojnë simptoma të sindromës së djegies së gojës duhet t'i nënshtrohen testeve specifike, përfshirë ato për kontrollimin e niveleve të vitaminës D, si dhe sheqerin në gjak (një tregues i diabetit).
Sidoqoftë, duhet të kihet parasysh se ky është një studim vëzhgimi që nuk zbulon marrëdhënie shkak-pasojë midis kushteve. Sindroma e Gojës së Djegur karakterizohet nga një ndjenjë e "djegies, ndjesisë së shpimit ose mpirjes" dhe mund të prekë "të gjithë gojën ose vetëm gjuhën dhe mund të jetë e vazhdueshme ose e përhershme", shpjegojnë Manualet e MSD për Profesionistët e Kujdesit Shëndetësor.



