
Qeveria franceze është dorëzuar para kërkesave të të ashtuquajturave “xhaketa blu”. Ditët e fundit, punonjësit e policisë u mblodhën nën atë që e quajtën lëvizja e xhaketave blu dhe paralajmëruan protesta për të treguar pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë dhe presidentit Macron.
Por nuk ka qenë nevoja që një zinxhir protestash të niste. Një marrëveshje është nënshkruar mbrëmjen e së mërkurës midis tre shefave të policisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
"Nuk do të firmosnim asgjë nëse nuk do të kishte rritje reale për punonjësit e policisë”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i sindikatës së forcave të sigurisë franceze (Unité SGP Police), Yves Lefebvre.
Konkretisht, punonjësit e policisë do të kenë një rritje prej 40 eurosh (nga muaji janar), një shifër që do të rritet më tej edhe me 30 euro në korrik 2019 dhe 30 euro të tjera në korrik të vitit 2020.
Forcat e rendit kanë arritur gjithashtu të bindin qeverinë për një rritjen me 1% të asaj që njihet si kompensimi për rrezikun në punë, e cila nis nga janari 2019 dhe shtohet më tej me 0,5% në janar të vitit 2020. Në total, rritja mesatare e pagës neto lëviz mes 120 dhe 150 euro në muaj sipas gradave.



