
Nga Anduena Llabani
SPAK kërkon në Gjykatën e Posaçme konfiskimin e pasurive të biznesmenit Ylli Ndroqi. Bëhet fjalë për rreth 32 pasuri, apartamente, aksione, pyje, troje, automjete, biznese etj, që në rast se gjykata pranon kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, atëherë ato i kalojnë shtetit shqiptar. Mes pasurive që kërkohet sekuestro edhe edhe RTV ORA NEWS.
Në njoftimin e SPAK, bëhet e ditur se bilanci përfundimtar i Ndroqit arrin në 3 milionë euro, shpenzime që sipas SPAK nuk janë në përputhje me të ardhurat.
Nga verifkimet e para, u evidentuan fillimisht 26 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) dhe familjarëve të tij, për të cilat gjykata me vendimin e datës 1 korrik të 2020 vendosi sekuestrimin e tyre.
Por nga verifikimet e thelluara, SPAK thotë se u evidentuan dhe gjashtë (6) pasuri të tjera të paluajtshme, (truall dhe objekte) me sipërfaqe totale 9232.8 m2, me vlerë rreth 1.6 milion euro, të ndodhura në Tiranë, pasuri të cilën Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e ka sekuestruar me vendim të 3 qershorit të këtij viti. Në përfundim të hetimeve pasurore u konkludua se:
Raporti midis të Ardhurave dhe Shpenzimeve të shtetasit Ylli Ndroqi (Xhemail Pasmaçiu) dhe familjarëve të tij, në çdo vit, si dhe gjendja e bilancit përfundimtar të tyre është:
Të Ardhurat: 1 048 667 240 lekë.
Shpenzimet: 1 418 522 446 lekë.
Shpenzimet e pambuluara me të ardhura janë : – 369 855 206 lekë.
Ose rreth 3 milionë euro.
Pavarësisht rikonfirmimit të sekuestros për pasuritë e biznesmeit Ylli Ndroqi, ky i fundit këmbëngul që pasuritë e tij janë të ligjshme dhe se sekuestrimi i tyre është bërë në kundërshtim me ligjin. Aktualisht, kompanitë e sekuestruara po administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara.
Kërkesa për konfiskim pritet të shqyrtohet fillimisht nga Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme, vendim të cilin Ndroqi mund ta kundërshtojë në Apel.



