Duke folur për skandalin e AKSHI-t, avokati Romeo Kara theksoi në Mcn Live se nuk bëhet fjalë vetëm për vjedhje parash, por për rrënim të të gjitha standardeve dhe të sigurisë. Kara tha se ndikimi i aferës së AKSHI-t do të shihet edhe te pjesa e Kadastrës dhe në çdo qelizë të shtetit.
“S’e di të kemi më siguri kombëtare, dolën të gjitha. Personat që u arrestuan një moment se kanë nxjerrë të dhënat e TIMS-it, pagave, i ke të lirë sot, i shoh te Komuna e Parisit. Informacioni është pushtet dhe marrja pjesë e këtyre firmave të pacertifikuara ka bërë që ne kemi ekzagjeruar me këtë tolerancën tonë përtej imagjinatës. E kanë përdorur atë informacion si kanë dashur ata. Duhet të kemi një manual të rreptë si i zbatojmë standardet.
Përgjegjësi ka edhe SHISH-i, duhet të ishte në dijeni. Edhe shërbime të tjera. Janë prekur standardet e sigurisë të një vendi të NATO-s. Duhet të kemi minimumi gjynah për veten që kemi rënë në këtë pikë. Korrupsioni rrënon të gjitha standardet. Korrupsioni që u zbulua atje na i ka lënë këtë pasojë tani. S’na vidhen thjesht disa para, por na vidhet standardi dhe siguria.
Do hapet një ditë pjesa e Kadastrës, e kuptoni çfarë mund të gjendet atje nga ndikimi i kësaj afere, AKSHI. Në çdo qelizë të shtetit”.
I pyetur në lidhje me Gjergji Tahon, avokati tha se ai “është në konflikt të pastër interesi, ka shkelur ligjin dhe duhet të fillojë hetimi penal”.
“Përveç abuzimit të detyrës është konflikt interesi. Një person që di gjithçka, ofron shërbime dhe jep garanci për këto shërbime”.



