Këngëtari i njohur i muzikës shqiptare, Endrik Beba, ishte i ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, ku ndau me shikuesit historinë e tij të vështirë shëndetësore dhe rrugëtimin drejt rikthimit në skenë.
Endriku tregoi se pas një aksidenti në fund të nëntorit, pësoi dëmtime në shtyllën kurrizore, që e detyruan t’i nënshtrohej një operacioni të vështirë. Procesi i rikuperimit, sipas tij, ka qenë i gjatë dhe i lodhshëm.
Kam pasur disa probleme shëndetësore, por falë Zotit dhe familjes sime që më qëndroi pranë, ja dola. Kam ende terapi për të rikuperuar energjitë 100%.
Pas aksidentit kam kaluar muaj të vështirë me dhimbje të forta, derisa në qershor u operova dhe, fatmirësisht, gjithçka shkoi mirë.
Rikthimi në skenë, thotë Endriku, erdhi me kujdes të shtuar.
Koncerti im i parë pas operimit ishte më 1 korrik. Aty kuptova se nuk isha ende gati, sepse pata një moment shkëputjeje gjatë performancës.
Fatmirësisht, kisha një kitarist shumë të zoti që më zëvendësoi derisa mora veten plotësisht. Vetëm tani, prej një muaji, mund të them se jam rikthyer realisht në formë.
Periudha e shërimit më ka mësuar shumë për durimin dhe rëndësinë e njerëzve të afërt.
E kam kaluar shumë keq, me stres e dhimbje, por mami dhe Klea më kanë ndihmuar jashtëzakonisht. U kam shkaktuar edhe atyre stres, por më qëndruan pranë në çdo moment.
Jam tip entuziast, më pëlqejnë gjërat e vogla dhe kur këndoj dua të kënaqem. E ndjeva shumë mungesën e publikut, por në atë periudhë u gëzova me fëmijët e mi dhe u përpoqa të ruaja energjinë. Tani ndihem më mirë dhe i gatshëm për t’u rikthyer plotësisht në muzikë live në pube dhe aktivitet tjera muzikore.



