Një i riu është vënë në prangat e policisë së Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “Kontinenti”, pas trafikimit të 7 kilogramë kanabis sativa me përqindje të lartë THC-je nga Kanadaja në Vorë me anë të postës.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë, si dhe në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe me Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, në vijim të operacioneve policore me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri, të lëndës narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC-je, finalizoi operacionin.
Në kuadër të operacionit, u vu në pranga shtetasi O. K., 22 vjeç, banues në Shkodër, i cili u kap në flagrancë, në një degë postare në Vorë, gjatë marrjes së një pakoje me 7 kg kanabis me përqindje të lartë THC-je, të dyshuar të trafikuar nga Kanadaja.
Si rezultat i hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni u mundësua dhe identifikimi i porositësit të pakos, shtetasit Z. M., për kapjen e të cilit, policia vijon intensivisht punën.
Lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.



