
Një punonjëse e Policisë Kufitare në Aeroportin e Rinasit, Sulltane Kuka, 29 vjeçe, është përjashtuar nga Policia e Shtetit pasi ka përdorur detyrën e saj për përfitime personalle. Sipas njoftimit zyrtar të policsë, masa e përjashtimit është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me propozim të Drejtorisë së Standardeve Profesionale për ta larguar nga organizata e policisë punonjësen Kuka.
Efektivja 29-vjeçare u ndalua ditën e martë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nën akuzën për “shërdorim detyre”. Ajo kishte hequr nga sistemi “Alert” i Policisë makinën e qytetarit Leonard K.
Ky rast është zbuluar gjatë inspektimit të bërë nga grupi i Drejtorisë së Policisë Rrugore në OASH-në, në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Lezhë, ku u konstatua se një automjet i shpallur “Alert”, ishte hequr nga sistemi në mënyrë të kundërligjshme.
Për këtë rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ndaloi punonjësen e policisë me detyrë trup shërbimi në Seksionin e Sigurisë, në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.



