
Gazetari Mentor Kikia, për situatën e sigurisë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Poton në Kosovë, ku edhe sot serbët lokalë kanë vazhduar me protesta, thotë se është një nga ato të pritshmet për shkak se është produkt i qëndrimit dhe vendimit të qeverisë së Beogradit për të qenë konsistente në përpjekjen për të mos lejuar krijimin e një shteti funksional, ligjor, të fortë në Kosovë.
Nga studio e MCN Live, Kikia deklaroi se diçka e tillë me sa duket është e sanksionuar edhe pse jo në formë të drejtpërdrejtë në Kushtetutën e Serbisë, që gjithmonë do të ketë një përpjekje serbe për të mos lejuar shtetin e Kosovës të mëkëmbet si një shtet normal.
Sipas tij, Kosova që prej çlirimit është dhe vazhdon një lloj protektorati, edhe pse ka ardhur duke u zbutur në terma, në fushën e zbatimit të ligjit, por në këtë rast ka çeduar në mënyrë të jashtëzakonshme.
Kikia shtoi se zgjedhjet e pjesshme vendore në Veri, u mbajtën në kushtet kur serbët bojkotuan dhe u shkua në një fitore me shifra modeste, pjesëmarrje me 4-5% dhe zgjedhjet u konsideruan të drejta nga faktori ndërkombëtar dhe se ishte qëndrimi i tyre për të mos marrë pjesë në zgjedhje.
Në këtë linjë tha se qëndrimi i ndërkombëtarëve tani është krejt tjetër, që qeveria e Kosovës duhet të tërhiqet dhe të mos bojkotojë, pyetja është çfarë i bëri ndërkombëtarët të ndryshojnë mendim.
Pse serbët lokalë nuk morën pjesë në zgjedhje? Nuk kishte asnjë arsye madhore, ishte skenar i parashkruar në Beograd për të mbërritur këtu jemi sot.
Nëse zgjidhja e këtij konflikti është tërheqja e kandidatëve fitues me atë përqindje minimale dhe ribërja e zgjedhjeve, pyetja që ngrihet është a do paraqiten serbët në zgjedhje.
Nëse jo do shkrihen autoritetet lokale? Mendoj se është çdo gjë si një lojë shahu, janë lëvizje të parashikuara, do bojkotojmë zgjedhjet, do fillojmë trazirat.
Nuk është popullsia lokale serbe, janë paramilitarë të stërvitur, të armatosur. Aktualisht Serbia është duke koordinuar me Rusinë për të ndërtuar një vatër të re zjarri, i intereson Rusisë dhe Serbisë dhe Vuçiçit që është në ditët më të këqija dhe do veshë kostumin e nacionalizmit.
Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve. Sot ka marrë përsipër të angazhojë ushtarë zyrtarë dhe banda të armatosura për t’ia kundërvënë KFOR-it.
Goditet KFOR-i se është ai që mban Kosovën. Të gjithë e dinë, Kosova nuk është në gjendje të përballet e vetme me Serbinë.
Të tregosh gishtin nga Kryeministri Kurti, teksa vihen në lëvizje kriminelë të nxjerrë nga burgjet, askush nuk mund të fërkojë duart dhe të thotë që po mos të jetë KFOR-i, serbët vijnë na vënë kufijtë ku të duan.
Natyrisht që i vendosin ku të duan. Ndryshimi i mendimit të ndërkombëtarëve mendoj se është zgjedhje e sforcuar, ata e dinë shumë mirë se kush i ndez ato zjarre në Veri, por ka një vatër të madhe siç është Rusia dhe Ukraina dhe nuk duan të kenë dy zjarre të ndezura dhe për një interes të madh gjeopolitik, sakrifikohet një popull i vogël siç është Kosova.
Pyetja që ngrihet është nëse tërhiqet qeveria e Kosovës, çfarë do t’i kërkojnë nesër të ulet të bisedojnë?
Më 29 maj, protestuesit serbë u përleshën në Zveçan me forcat paqeruajtëse të KFOR-it.
Si pasojë e përleshjeve, të paktën 25 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar, sikurse edhe disa protestues.
Serbët lokalë po kundërshtojnë hyrjen në komuna të kryetarëve të rinj shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit. Ata po ashtu po kërkojnë që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga Veriu i banuar me shumicë serbe.



