Dy persona janë vënë në prangat e policisë në Kamëz dhe një tjetër është shpallur në kërkim, të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal që shiste armë zjarri.
Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, gjatë 3 muajve, efektivët e komisariatit Nr. 5, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, është finalizuar operacioni i koduar “Members”.
Në kuadër të këtij operacioni u ndaluan shtetasit Bledar Jella, 29 vjeç dhe Xhemal Shehi, 60 vjeç, të dy banues në Kamëz, të cilëve Gjykata e Tiranës iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si dhe u shpall në kërkim S. C., 29 vjeç, banues në Kamëz.
Nga hetimet dyshohet se të ndaluarit dhe i shpalluri në kërkim, ishin pjesëtarë të një grupi që shiste armë zjarri në Tiranë.
Aktualisht vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në grup.



