Të paktën 27 persona, mes tyre një fëmijë në gjendje të rëndë, u dërguan në spital mes 50 të plagosurve pasi një makinë u përplas me turmën gjatë paradës së fitores së Premier League nga ekipi i futbollit të Liverpool, mbrëmjen e së hënës.
Forcat e sigurisë shpjeguan se dy nga të plagosurit e shtruar në spital janë në gjendje të rëndë dhe njëri prej tyre është fëmijë.
Zëvendësshefja e Policisë së Merseyside, Jenny Sims, tha se ngjarja nuk po trajtohej si një incident terrorist, por besohet të jetë një incident i izoluar dhe askush nuk kërkohet aktualisht në lidhje me të, pas arrestimit të një britaniku 53-vjeçar nga zona e Liverpoolit, i cili ishte në drejtimin e makinës.
Kryeministri britanik Keir Starmer i përshkroi skenat në Liverpool si “të tmerrshme” dhe tha: “Mendimet e mia janë me të gjithë të plagosurit dhe të prekurit. Dua të falënderoj policinë dhe shërbimet e emergjencës për reagimin e tyre të shpejtë ndaj këtij incidenti tronditës”.
Mijëra tifozë festuan të hënën, ndërsa një autobus që transportonte lojtarët kaloi nëpër rrugët e qytetit britanik mes një morie fishekzjarrësh të kuq, si ngjyra e ekipit.



