Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi në konferencën kombëtare “Cilësia e drejtësisë”, deklaroi se cilësia e drejtësisë nuk matet vetëm me shpejtësinë e gjykimit apo uljen e ngarkesës së çështjeve, por mbi të gjitha me forcën e arsyetimit, qartësinë dhe me parashikueshmërinë e vendimmarrjes.
Ai tha se shpejtësia është e rëndësishme, por shpejtësia pa arsyetim dhe pa koherencë kthehet në rrezik për sigurinë juridike.
Sipas tij, treguesit statistikorë janë të dobishëm, por prova kryesore mbetet vendimi i arsyetuar, i kuptueshëm dhe i zbatueshëm.
Drejtësia nuk mund të matet vetëm me numra. Treguesit statistikorë janë të dobishëm, por prova kryesore mbetet vendimi i arsyetuar, i kuptueshëm dhe i zbatueshëm. Qëndrueshmëria e vendimeve dhe vijueshmëria e interpretimit janë kusht që ligji të zbatohet pa devijime. Koherenca e jurisprudencës nuk është luks, nuk është një qëllim akademik; është siguri juridike dhe barazi.
Në disa raste, vendimet citohen formalisht, por nuk bëhen pjesë e arsyetimit juridik; në të tjera, praktika përkatëse mund të mos merret fare në konsideratë.
Kjo nuk rregullohet vetvetiu: kërkon njohje, përdorim dhe përgjegjësi profesionale.
Në këtë drejtim, praktika e njësuar ndikon drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së arsyetimit: ul pasigurinë, parandalon interpretime kontradiktore dhe kufizon ankimet e panevojshme.
Le ta them edhe më prerë: një vendim i pakuptueshëm është një konflikt i shtyrë për nesër. Kur konflikti nuk mbyllet me arsyetim bindës, ai kthehet sërish në apel, në rekurs, në rigjykim, dhe bashkë me të rritet edhe mosbesimi.
Nuk mjafton të flasim “për parime”. Tani përballemi me detyra që duhet t’i kthejmë në tri objektiva konkrete:
Ndikimi praktik i jurisprudencës së Gjykatës së Lartë në arsyetimin gjyqësor dhe në qëndrueshmërinë e vendimeve;
Përmirësimi i shpërndarjes, aksesueshmërisë dhe përdorimit të strukturuar të praktikës në të gjithë sistemin;
Përpjekje të koordinuara institucionale për të rritur qartësinë ligjore, parashikueshmërinë dhe efikasitetin. Sfida është t’i kthejmë në veprim dhe në rezultate konkrete.
Edhe argumenti më i mirë nuk mjafton, nëse orientimi nuk gjendet shpejt dhe nuk është i përdorshëm në kohë. Prandaj, kushti vendimtar është aksesueshmëria: kur jurisprudenca është e lehtë për t’u gjetur dhe e qëndrueshme në kohë, ajo kthehet në instrument pune.
Kjo konferencë na kujton një të vërtetë themelore: qytetari nuk e mat drejtësinë nga fjalët, por nga vendimet tona. Dhe çdo vendim matet me tri pyetje të thjeshta: A është i kuptueshëm? A është i arsyetuar? A është i parashikueshëm?
Nëse duam besim publik, duhet të ndërtojmë kulturën e koherencës. Kjo nuk është detyrë e një institucioni të vetëm; është kontratë e përbashkët e gjykatave, profesionistëve të së drejtës dhe e botës akademike, me mbështetjen e partnerëve tanë.
Qytetari nuk ka pse të “hamendësojë” drejtësinë. Ai ka të drejtë ta parashikojë atë. Kjo arrihet vetëm kur ligji zbatohet pa devijime të pajustifikuara, arsyetohet drejt dhe komunikohet qartë. E kundërta e cilësisë nuk është thjesht gabimi, është arbitrariteti.
Le ta zëvendësojmë arbitraritetin me koherencë dhe ta kthejmë këtë në shenjën e besueshmërisë së drejtësisë.



