Australia ka anuluar një vendim të marrë katër vjet më parë për të njohur Jerusalemin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit.
Vendimi i Kanberras, i vitit 2018, ka dëmtuar paqen dhe e ka vendosur Australinë jashtë hapit të shteteve tjera, ka thënë ministrja e Jashtme australiane, Penny Wong.
Ajo ka theksuar se Australia mbetet “mike” e Izraelit. Ambasada e saj do të qëndrojë në Tel Aviv. Statusi i Jerusalemit është ndër çështjet më kontestuese në mes të Izraelit dhe palestinezëve.
Ministria e Jashtme izraelite ka shprehur “zhgënjimin e thellë” ndaj vendimit të Australisë dhe do të marrë në pyetje ambasadorin e këtij shteti, kanë raportuar mediat izraelite.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump është kritikuar në nivel global më 2017, kur e ka ndryshuar politikën amerikane, duke njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Ambasada amerikane është bartur nga Tel Avivi në Jerusalem, në maj të vitit 2018.
Disa muaj më vonë, ish-kryeministri australian, Scott Morrison, ka thënë se Qeveria e tij do të veprojë njëjtë.
Atëkohë, Morrison ka thënë se Australia do të njohë Jerusalemin Perëndimor menjëherë, mirëpo nuk do të bartë ambasadën derisa të ketë marrëveshje për paqe. Qeveria e Morrisonit i ka humbur zgjedhjet në maj të këtij viti.
Ministrja e Jashtme, Penny Wong, e ka quajtur vendimin e Qeverisë së kaluar si “lojë cinike” për të fituar votat e hebrenjve para zgjedhjeve.
Izraeli e konsideron Jerusalemin si kryeqytet “të pandarë”, derisa palestinezët pretendojnë se Jerusalemi Lindor, i pushtuar nga Izraeli në luftën e vitit 1967, do të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen.



