
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sekuestruar kompaninë “Alba Ecotic Fruit”, kjo pasi në kontejnerët e saj janë gjetur 6 herë kokainë.
SPAK e akuzon kompaninë për veprat penale, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim të veçantë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
NJOFTIM PËR SHTYP
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është duke kryer hetime për procedimin penal nr.207/2021, regjistruar për veprat penale, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim të veçantë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 283/a, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Hetimet e këtij procedimi penal lidhen me faktet e konstatuara të kapjes në disa raste të sasive të kokainës në ngarkesat e importuara në Portin e Durrësit nga subjekti juridik “Alba Exotic Fruit”.
Në kuadër të këtyre hetimeve, pas kërkesës së Prokurorisë Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestro preventive të subjektit “Alba Exotic Fruit”, bazuar në parashikimet e nenit 274 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu, bazuar në parashikimet e ligjit nr.9754, datë 14.06.2007, “Për përgjegjësinë penale të personave juridik”, Prokuroria e Posaçme, ka regjistruar emrin e personit juridik “Alba Exotic Fruit”, si subjekt juridik i dyshuar për veprat penale, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim të veçantë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal”.
Vetëm tre ditë më parë Policia e Shtetit ka bërë me dije se është sekuestruar një tjetër sasi kokaine në një nga kontejnerët e firmës “Alba Exotic Fruit”.
Sekuestrimi ka ardhur si vijim i operacionit policor i koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontejnerëve u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 10 kilogramë e 185 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Sasia e tjetër e sekuestruar është ajo e 7 shtatorit ku bëhej fjalë për 7.7 kilogramë kokainë.
Më 13 korrik 2021, 11 kilogramë kokainë u gjetën brenda një kontejneri, të kësaj firme, në Portin e Durrësit.
Në atë kohë u arrestua në flagrancë shtetasi B. G., menaxheri i firmës dhe u shpall në kërkim administratori i firmës, shtetasi E. D.
“Kontejneri i ngarkuar me banane kishte ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme, ku në pjesën fundore të kapakëve të motorëve frigoriferike, u gjetën dhe u sekuestruan 8 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë”, njoftoi policia në atë kohë.



