Muajt e parë të vitit po karakterizohen nga ritme të ulëta të investimeve publike, duke rikthyer një problem të përsëritur ndër vite. Sipas ekspertit të ekonomisë Pano Soko, kjo situatë lidhet jo vetëm me vonesat procedurale, por edhe me ndikimin e frikës nga hetimet.
I ftuar në ‘MCN Economy’, ai theksoi se rënia e investimeve në fillim të vitit është tashmë një fenomen i njohur.
Janari në përgjithësi në investimet publike tashmë është kthyer në traditë që në muajt e parë nuk arrijnë dot të realizohen investimet publike. Muajt e parë të vitit tradicionalisht kemi pasur rënie të investimeve.
Ai shtoi se një pjesë e madhe e tenderëve mbeten të paekzekutuar, duke reflektuar sipas tij efektet e kontrolleve dhe hetimeve nga SPAK.
Praktikisht këto janë efektet e para të frikës që kanë nga SPAK. Punonjësit refuzojnë të firmosin kur dyshojnë për shkelje. Frika nga SPAK ka frenuar 20–30% të alokimeve të investimeve publike. Në këtë kontekst, mungesa e projekteve madhore dhe zvarritja e atyre ekzistuese po ndikojnë në realizimin e buxhetit.
Duke iu referuar performancës financiare, Soko theksoi se viti 2025 u mbyll me një suficit të konsiderueshëm, që sipas tij nuk është domosdoshmërisht tregues pozitiv.
Suficiti buxhetor vjet erdhi për shkak se nuk prishën dot lekët. Buxheti është projektim, por në fund rëndësi ka realizimi dhe të ardhurat konkrete.
Sipas ekspertit, qeveria duhet të fokusohet jo vetëm te planifikimi, por te mënyra si fondet kthehen në shërbime për qytetarët.
Ti mund ta programosh buxhetin sa të duash, por në fund sheh çfarë ke realizuar. Edhe këtë vit mund të kemi një suficit edhe më të lartë, por çështja është sa nga këto para shkojnë në shërbim të njerëzve.
Ai kritikoi faktin se prej disa vitesh vendi mbyll buxhetin me tepricë, duke e konsideruar këtë si tregues të dështimit në realizimin e projekteve.
Ne kemi të paktën 5 vitet e fundit që dalim me suficit rreth 500 milionë euro dhe ky është dështim. Qeveria ka detyrë t’i shpenzojë këto para për shërbime dhe produkte. Nëse nuk realizohen projektet, atëherë të paktën të shlyhet borxhi, nuk mund t’i mbash paratë në bankë kur ato vijnë nga taksat e qytetarëve.



