
Tensionet në Mesdhe mes Greqisë dhe Turqisë duket se nuk kanë gjasë të zbehen pasi hapi i fundit i shtetit turk është zhvillimi i një stërvitje ushtarake në afërsi të Qipros veriperindimore për dy javët e ardhshme.
Prej një kohë të gjatë ka një mosmarrëveshje mes dy vendeve, anëtare të NATOA-s, që u ndez pasi dy vendet arritën marrëveshje rivale në kufijtë e tyre detarë me Libinë dhe Egjiptin, dhe Turqia dërgoi një anije kërkimore në ujërat e kontestuara këtë muaj.
Sakaq si Turiq ashtu edhe Greqia kanë zhvilluar ushtrime ushtarake në Mesdheun lindor, duke sjellë kështu në vëmendje potencialin për mosmarrëveshjen mbi shtrirjen e shelfit të tyre kontinental që rrezikon të përshkallëzohet në një përplasje.
Si të mos mjaftonte kaq, fregatat greke dhe turke që ndiqnin anijen e studimit të naftës dhe gazit "Oruç Reis" të Turqisë, rreth dy javë më parë, u përplasën dhe Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha se të enjten avionët F-16 të Turqisë parandaluan hyrjen e gjashtë avionëve F-16 të Greqisë në një zonë ku vepronin mjetet turke.
Lëvizja e fundit vjen nga Turqia, e cila ka lëshuar një një njoftim Navtex, një mesazh këshillues për marinarët, duke thënë se do të zhvillonte një "stërvitje me armë" nga e shtuna deri në 11 shtator pranë Qipros veriperëndimore.
Për të gjithë situatën Bashkimi Europian tha së fundmi se po përgatit sanksione për Turqinë, që mund të ndërmeren në fund të muajit shtator, pasi Greqia është një vend i unionit.
Kjo ka sjellë edhe reagimin e Fuat Oktay, nënpresidentit turk, i cili në lidhje me sanksionet e mundshme kritikoi BE-në.
"Është jo e sinqertë që BE-ja të kërkojë dialog nga njëra anë dhe të bëjë plane të tjera nga ana tjetër, në lidhje me aktivitetet që ne kryejmë në shelfin tonë kontinental në Mesdheun lindor,"-tha ai në Twitter.



