
Kievi ka pranuar armëpushim 30 ditor të luftës me Rusinë gjatë bisedimeve me palën amerikane në Xhedah të Arabisë saudite. Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se do flasë vetë për këtë propozim me homologun rus Vladimir Putin.
“Siç thotë shprehja, duhen dy vetë për të kërcyer tango. Shpresoj se marrëveshja do të arrihet në ditët e ardhshme. Do kemi takim të rëndësishëm me Rusinë nesër dhe do ketë biseda të shkëlqyera mes nesh.”, tha Trump.
Ndërsa delegacionet amerikane dhe ruse do të takohen në Riad të Arabisë Saudite, krye diplomati amerikan Marko Rubio tha se topi është në fushën e Moskës.
“Do t'ia paraqes ofertën Rusisë. Topi është në fushën e tyre.”, tha Rubio.
I dërguari special i Trampit Steve Witkoffdo të udhëtojë në Rusi në ditët në vijim. Po ashtu, pas kësaj marrëveshjeje me Kievin, SHBA-të kanë të rifilluar shkëmbimin e inteligjencës dhe ndihmën ushtarake për Ukrainën, të cilën Uashingtoni e kishte pezulluar.
Presidenti i Ukrainës Volodomyr Zelensky tha se tani i takon SHBA-së të bindë Rusinë që të pajtohet me propozimin. Edhe evropianët janë në të njëjtën gjatësi vale me amerikanët.
“Armëpushimi 30-ditor është një hap i rëndësishëm dhe korrekt drejt një paqeje të drejtë për Ukrainën. Tani varet nga Putini.”, tha Scholz.
“Ky është zhvillim pozitiv dhe një hap drejt një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën. BE-ja është e gatshme të luajë rolin e saj të plotë, së bashku me partnerët, në negociatat e ardhshme të paqes.”, tha Von der Leyen.
Rusët ndërkohë kanë kërkuar kohë për të kthyer përgjigje për këtë propozim.
“Po studiojmë me kujdes deklaratat e bëra pas takimit. Po shohim edhe deklaratën e përbashkët. Sekretari i Shtetit Rubio dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Waltz do të na informojnë përmes kanaleve të ndryshme në ditët në vijim për detajet e bisedimeve dhe marrëveshjet e arritura. Nuk përjashtojmë nevojën për një bisedë telefonike në nivelin më të lartë mes Vladimir Putinit dhe Donald Trampit.”, tha zwdhwnwsi i Kremlinit, Dimitry Peskov.
Ndërkohë, kryediplomati rus Sergei Lavrov ka refuzuar sërish propozimet për praninë e një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare në Ukrainë.
“Jam i habitur me këtë obsesion për paqeruajtësit. Shumica e përpjekje për t'iu qasur krizës ukrainase janë shumë të paqarta. Gjithçka duhet të përqendrohet tek shkaqet rrënjësore të konfliktit. Dhe Donald Trampi konfirmoi se një ndër shkaqet kryesore ishte zgjerimi i NATO-s.”, tha Lavrov.
Po ashtu, pas vënies së kontakteve diplomatike, SHBA-të dhe Rusia kanë filluar kontaktet për inteligjencën. Shefi i Shërbimit sekret rus Sergei Naryshkin ka pasur një telefonatë me drejtorin e CIA-s John Ratcliffe. Në Paris ndërkaq po zhvillohet një samit treditor me ushtarakët më të lartë nga 30 vende aleate të Ukrainës për të siguruar paqe afatgjatë, siç shkruajnë mediet franceze.



