Pas takimeve me drejtuesit në Prokurorinë e Fierit, kryeprokurori Olsian Çela është ndalur në Vlorë ku edhe ka zhvilluar takime me prokurorët.
Në një komunikim për mediat Çela tha se fokus i takimeve të ditës janë krimi zgjedhor dhe pastrimi i produkteve të veprës penale. Ai gjithashtu theksoi se Prokurorive i është kërkuar hetim i shpejtë dhe i plotë i këtyre veprave.
“Sot isha edhe në Fier ku pata një takim me drejtuesit e Prokurorisë të Rrethin gjyqësor atje, i njëjti objekt takim ka qenë edhe në Vlorë me tema që janë krimi zgjedhor dhe efektiviteti i luftës ndaj pastrimit të produkteve të veprës penale. Sa i përket krimit zgjedhor që mund të them është prioritet i ditës, iu është kërkuar Prokurorive në rang vendi që hetimi i shpejtë dhe i plotë i tyre të jetë prioritet.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka një ngarkesë më të ulët sa i përket këtyre veprave, por për nga rëndësia kanë të njëjtat vlera. Ndaj u është kërkuar që në kohë optimale këto hetime t’i përfundojnë sa më shpejt. Dhe prioritet mbetet sigurimi i transparencës”, tha Çela.
Po ashtu Prokurori i Përgjithshëm tha se raportin mbi kriminalitetin ia ka dërguar parlamentit, ndërsa theksoi se për shkak të situatës së Covid nuk mund të kishte takim me të gjithë Prokurorët e Vlorës, por analiza e të gjithë treguesve për secilën nga prokuroritë e rretheve do të mbetet prioritet.



