
Më shumë se 1.7 milionë emigrantë janë arrestuar përgjatë kufirit të SHBA-ve me Meksikën në 12 muajt e fundit, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Sipas të dhënave nga Doganat dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA, më shumë se një milion prej tyre u dëbuan në Meksikë ose në vendet e tyre të lindjes. Agjentët kapën njerëz nga më shumë se 160 vende.
Popullariteti i Presidentit Joe Biden në sondazhet e opinionit është duke u zvogëluar, pjesërisht si rezultat i politikës së tij të emigracionit.
Vetëm 35% e amerikanëve thanë se e miratuan trajtimin e tij të çështjes, në një anketë Associated Press-NORC Qendra për Kërkimin e Çështjeve Publike në fillim të këtij muaji.
Biden premtoi një politikë më njerëzore të imigrimit sesa paraardhësi i tij Donald Trump, por kufiri SHBA-Meksikë është përfshirë nga kriza për shumicën e presidencës nëntë mujore të demokratëve.
"Numri i madh i dëbimeve gjatë pandemisë ka kontribuar në një numër më të madh se zakonisht të emigrantëve që bëjnë përpjekje të shumta për kalimin e kufirit," tha Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA.
Ata që përpiqeshin të hynin ilegalisht në SHBA ishin kryesisht nga Meksika, Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori.
Nga të gjithë të arrestuarit, kategoria më e madhe ishin të rriturit që udhëtonin pa fëmijë, më shumë se 1.1 milion (ose 64%).
Në të njëjtën kohë, autoritetet amerikane thanë se kishin hasur në më shumë se 145,000 fëmijë të pashoqëruar, një numër rekord. Pothuajse 11,000 nga ata fëmijë mbetën në paraburgim të qeverisë të premten.



