Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj, për shifrën prej 866 ankesash nga bizneset pjesëmarrëse në tenderat e zhvilluara nga administrata publike për vitin 2023, ndërkohë që vlera e ankimuar është rreth 200 milionë euro, tha se mund të duket shifër e ulët, që prezumohet se pak kompani mund të kenë pakënaqësi.
Në emisionin MCN Economy, ajo deklaroi se janë rreth 72 kompani që ankimojnë në muaj dhe kjo është shifër e lartë dhe se është krijuar njëfarë standardizimi kompanish që fitojnë tenderat publikë.
Sipas saj, në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit ndeshen të njëjtat problematika dhe diskriminim kundrejt kompanive të reja.
Një kompani e re duhet të ketë një start. Nuk mund të jetë kjo domosdoshmërisht punë publike.
Mund të kesh bërë shumë punë private që tregojnë seriozitetin e kësaj kompanie.
Duke marrë parasysh seriozitetin e raportit të KLSH gjykoj se analiza e këtyre e institucioneve nuk duhet mbetur thjesht te raportimi në parlament por duhet analizuar më thellë sepse cenohet tregu dhe të bërit biznes në Shqipëri.
Biznesi nuk mund të ketë shpresë së e drejta e tij mund të marrë zgjidhje. Nuk kemi ende besim të plotë që gjyqësori është i drejtë.
Ky është element që kompanitë nuk e shikojnë më si mundësi që të fitojnë të drejtën.
Ka shumë kompani që nuk e marrin mundimin të shkojnë në gjykatë, sepse mungesa besimit të gjyqësori e ka dëmtuar këtë raport.
Por edhe nëse gjyqësori i jep të drejtë biznesit, mund të ndodhë që kjo vepër publike mund të jetë në përfundim. Pra nuk ndodh rikthim.
Le të marrim rastin e pushimeve të padrejta nga puna. Kur ata që kanë hedhur në gjyq institucionin fitojnë gjyqin, vendi është zënë.
Rrjedhimisht, shteti paguan dy individë për një vend pune. Qeveria nuk është imune dhe institucionet publike nuk janë imune ndaj tenderave të qepur me porosi.
Nëse marrim shembuj konkret, marrim ndërtimin e rrugëve. Pothuajse të njëjtat kompani fitojnë të drejtën për ndërtimin e rrugëve sidomos në jug të vendit, ku është investimi më i madh.
I gjithë sektori i rrugëve është pothuajse e njëjta kompani që operon. Ne kemi analizuar rënien e investimeve të huaja.
Rreth ¼ e investimeve të huaja janë investime imobiliare vitet e fundit. Ka rënë numri i investimeve të huaja direkte. Pra kompani të huaja.
Këtë e lidh me tenderat publik. Ato e humbin interesin në Shqipëri, pasi kemi të bëjmë me nivele të larta korrupsioni, klimë jo të mirë biznesi dhe paketa jo të përshtatshme fiskale.
Ka një qendërzim të kompanive që marrin pjesën e luanit në prokurimet publike.
Ato janë kompani që zotërojnë pjesën më të madhe të tregut. Kjo nuk e bën vendin tërheqës në sytë e kompanive të huaja.
Gjykoj që kompanitë e huaja nuk kanë interes për të investuar në vlera të konsiderueshme.
Sa i takon temderave të emergjencës, Nunaj deklaroi se nuk mund të bëhen kur ka emergjenca civile.
Në këtë linjë tha se investimet e huaja lidhen drejtpërdrejtë me nivelin e lartë të korrupsionit, nuk ka ende një drejtësi që investitorët dhe kompanitë të fitojnë të drejtën e tyre.
Sipas saj, emergjenca është shumë e kufizuar në numër dhe jo për gjatë gjithë kohës dhe gjatë gjithë vitit dhe se kjo lë hapësirë për abuzim.



