
Bejaze Taullaj 74-vjeçarja që jeton e vetme, solli në redaksinë e emisionit investigativ “Xhadat” problemin e saj që e shqetëson prej vitesh.
Para 16 vitesh zonja bën një shtesë në shtëpi, pasi jetonte vetëm në një dhomë.
Në momentin që del ligji për legalizimet, para 8 vitesh, znj. Taullaj aplikon për leje të shtesës, ku ajo thotë se në momentin e aplikimit nga ALUIZNI nuk i është dhënë asnjë dokument përveç numrit të protokollit.
Qytetarja shprehet se është paraqitur disa herë pranë kadastrës Durrës ku i është thënë vazhdimisht se nuk ka ardhur radha, derisa e informojnë që Kadastra është transferuar në Rinas. Taullaj thotë se me pensionin që merr nuk ka asnjë mundësi të shkojë në Rinas ndërkohë që nuk ka asnjë informacion se çfarë ka ndodhur me aplikimin e saj fillestar.
Me numrin e protokollit që znj. Bejaze Taullaj kishte ruajtur nga aplikimi, ne i dërgojmë një kërkesë për informacion kadastrës Durrës, ku në kthim përgjigje na thuhet se:
Nga verifikimet e kryera, ku rezultoi se znj. Bejaze Sefer Taullaj ka bërë kërkesë për tu përfshirë në procesin e legalizimit me nr. 4422 me adresë lagja nr.15 Bashkia Durrës.
U konstatua se ky aplikim, nuk ndodhet i hedhur në sistemin online të hedhjes së të dhënave për ndërtesat/shtesat e ndërtimeve pa leje.
Për sa më sipër me ndryshimet e kryera në ligj për vazhdimin e procedurës së legalizimit znj. Bejaze Taullaj duhet të aplikojë në portalin e–Albania.
Tashmë znj. Bejaze i duhet të aplikojë sërish pas 8 vitesh, por këtë herë ligji për të vazhduar procesin e legalizimit ka ndryshuar dhe bëhet vetëm online në portalin e-Albania.
Kjo praktikë e re kthehet në një tjetër problem për zonjën e cila ka vetëm një aparat të thjeshtë celular nga ku nuk mund ta aksesojë portalin qeveritar konsideruar dhe faktin që jeton e vetme pa asnjë të afërm që ta ndihmojë.
Znj. Bejaze Taullaj thotë:
Unë nuk mundem ta bëj dot këtë, sepse nuk marr vesh fare. Kam një telefon “Nokia” që është më i vjetri. Është 20 mijë lekësh, i falur thjesht për të marrë në telefon.
Nuk kam adresë e-mail, nuk kam të afërm nuk kam nipa apo mbesa, jetoj e vetme në këtë kasollen këtu.
Ne u interesuam tek zyra e-Albania për të ditur nëse ka ndonjë zyrë e cila u vjen në ndihmë personave të moshës së tretë të cilët nuk dinë të shkarkojnë apo të përdorin këtë aplikacion. Aty na u tha nëpërmjet punonjësit se:
Nuk ka zyrë qytetarësh fare, komunikimi është nëpërmjet help desk. Hap një adresë e-mail, nuk është ndonjë punë e vështirë. Komunikimet bëhen vetëm nëpërmjet e-mailit.
Të ndodhur në këto kushte ne e ndihmuam znj. Bejaze Taullaj, me hapjen e një adrese e-maili e cila është e domosdoshme për hapjen e një llogarie tek portali e-Albania nga ku në emër të nënës, në portalin qeveritar e-Albania, aplikuam sërish për lejen e legalizimit të shtesës që znj. Taullaj ka ndërtuar para 16 vitesh.



