
Medlir Mema, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se mundësia që serbët të krijojnë struktura paralele në veri të Kosovës është krijuar pjesërisht për shkak të negociatave të bëra vite më parë.
Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij Mema tha se duhet të ketë një reagim nga ndërkombëtarët për deklaratat e bëra për 1 qershorin, pasi ka gjithmonë presione ndaj Kosovës ndërkohë që serbët në veri kanë bërë paralajmërime dhe për luftë.
Mundësia është krijuar pjesërisht për shkak të negociatave që janë bërë më parë dhe marrëveshjeve të bëra në 2013-2015. Qeveria Kurti po mundohet të eliminojë disa prej rreziqeve por mundësia ekziston. Në lidhje për 1 qershorin shpresoj të ketë reagim nga ndërkombëtarët, pasi presion i bëhet Kosovës kur nga serbët në veri të Kosovës janë bërë paralajmërime për luftë.
Të gjithë palët dhe qeveria Kurti ka rënë dakord që do ketë një lloj asocioacioni, pyetja është se çfarë forme do jetë? Nëse do ketë flamurin e saj, himnin, simbolet shtetërore. Këto janë të papranueshme për qeverinë e Kosovës dhe amerikanët kanë rënë dakord që një asociacion s’duhet të ketë funksione ekzekutive, por vazhdojnë të bëjnë presion ndaj qeverisë së Kosovës.
Propozimi që u bë nga grupi i studimit në takimin e BE mes palës serbe dhe Kosovës ishte i papranueshëm për palën kosovare. Nuk është çështja a krijon asociacioni kushte për paqe. Për serbët i mirë është ai lloj asociacioni që i ngjan republikës Srpska.
I ndalur dhe tek zhvillimet ndërkombëtare, Mema tha se nuk e sheh Kinën si aktore të besueshme për palën ukrainase në bisedimet për paqe me Rusinë.
Nuk e shoh Kinën si aktore të besueshme për palën ukrainase. Kina ka imituar dhe ka vazhduar të argumentojë si Rusia. Është e rëndësishme që çdo hap në favor të diplomacisë të ezaurohet. Kjo luftë nuk mbaron në fushë betejë. Takimi i G7 ka çështjen e Ukrainës po ka shqetësim të madh e rolit të Kinës jo në aspektin ekonomik, por në atë diplomatik.



