Një 64-vjeçar, që rezultonte në kërkim ndërkombëtar nga Italia, u arrestua nga policia e Durrësit. Skënder Isufi, banues në këtë qytet, ishte dënuar me 8 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike në Itali.
Isufi konsiderohej si superbosi i drogës nga drejtësia italiane. Në një artikull të “Gazzetta del Mezzogiorno” të vitit 2009, ai përmendet si një nga shpërndarësit kryesor të heroinës dhe të kokainës në Evropë.
Sipas artikulli të asaj kohe, të titulluar “Shqipëria mbron zotërit e drogës”, Isufi përfshihej tek lista e 4 personave më të kërkuar.
Hetimet për të dhe të tjerë, kishin nisur që nga viti 1997 në Bari deri në vitin 2008.
Gazeta shkruante se 4 “bosët” që jetonin të lirë në Shqipëri dhe të paprekur nga organet e drejtësisë, kishin arritur të investonin të ardhurat e tyre në ekonomi të ligjshme.
Gazeta i cilësonte grupin si një nga eksportuesit kryesor të kokainës dhe të heroinës në Evropë.



