Deputeti i PD-së, Flamur Noka, ka reaguar për grabitjen me pasojë plagosjen e kryefamiljarit në Lezhë. Në një deklaratë për mediat, Flamur Noka thekson se bandat e armatosura plaçkitëse, këto kohë janë bërë mëse normale ndërkohë që shteti mungon.
“A ka dëgjuar dikush që policia e Saje Qorrit ka kapur ndonjë bandë vjedhësish të armatosur? A është zbuluar ndonjë rast? A i është kthyer pasuria e vjedhur ndonjë viktime të grabitjes? A ka ndonjë rast në këto tre vite që Policia ti ketë dalë zot viktimave, apo qytetarëve të thjeshtë? Në Shqipëri po bëhet batërdia. Askund nuk duken gjurmë shteti. Shteti është nënshtruar nga krimi e madje është bërë njësh me krimin. Rama, Saje Qorri e drejtuesit e policisë kanë hallin e drogës, të korrjes së saj, të ndarjes së sasive reciproke mes tyre” - thotë Noka.
Duke theksuar se shteti është dorëzuar, Noka i bën thirrje qytetarëve të vetmbrohen në mungesë të shtetit. “Qytetarët duhet t’i dalin zot vetes. Duhet të gjejnë zgjidhje, të mbrojnë jetët e tyre e të familjarëve të tyre. Mbrojtja e pronës në këto kushte në Shqipëri është dytësore. Jeta është parësore. Shqiptarë, dilni zot vetes. Mbroni veten se nuk po ju mbron askush.!!” - thekson Noka në reagimin e tij.



