
Martin Luther King Jr. ka nisur të shihet nën një dritë të re në SHBA, pas publikimit të disa detajeve të jetës së tij. Ai mbahet mend si një nga oratorët më të mëdhenj në histori, fitues i çmimit “Nobel”. Fjalimi i tij i njohur “Unë kam një ëndërr” shënoi një kthesë në lëvizjen për të drejtat e njeriut në SHBA-të e fillimit të viteve ’60.
Por reputacioni dhe trashëgimia që ai la pas mund të përballet me atë që një nga biografët e tij e ka përshkruar si një "rivlerësimi i dhimbshëm historik", pas disa detajeve të zbuluara së fundi, që hedhin dritë mbi marrëdhëniet e Martin Luther King Jr. me femrat.
Një seri dokumentesh të FBI-së ekspozojnë në detaje aktivitetet seksuale jashtëmartesore të Luther King Jr. me dhjetëra femra, gjatë kohës kur udhëtonte nëpër disa shtete të vendit për fushatën e tij kundër pabarazisë racore.
Biografi dhe historiani i Martin Luther King Jr., David Garrow, i cili do të publikojë detaje të gjetjeve të tij në revistën britanike “Standpoint”, thotë se ai u vu në dijeni në lidhje me këto pretendime nëpërmjet përmbledhjeve të kasetave të FBI-së, të arkivuara dhe që kanë ende vulën e gjykatës.
Në një nga regjistrimet e FBI-së, Martin Luther King Jr rezulton të jetë përgjuar në një dhomë hoteli në Uashington në vitin 1964. Përgjimet ngrenë hipotezën se ai ka pasur lidhje me mbi 40 femra, madje në një prej përgjimeve thuhet se gjatë një bisede me një shok, ai flet për gratë në një mënyrë të papërshtatshme për staturën e tij.
Biografi David Garrow thotë se lideri i lëvizjes së të drejtave të njeriut ka qenë nën vëzhgim nga FBI-ja në vitet ‘60 dhe përgjimet u përkasin pikërisht atyre viteve. Megjithatë, kasetat do të deklasifikohen vetëm në vitin 2027.
Martin Luther King Jr. ka qenë nën përgjim për 12 vjet me radhë, me dyshimin se mund të kishte lidhje me komunistët. Në një prej regjistrimeve, sipas historianit, thuhet se King qeshi kur miku i tij, pastori Logan Kease i kishës baptiste, përdhunoi një grua. Ai ishte i pranishëm gjatë episodit dhe nuk bëri gjë tjetër veçse i dha këshilla pastorit duke qeshur.
Në një editorial që shpjegon vendimin për të publikuar pretendimet e Garrow, “Standpoint” e përshkruann Martin Luther Kingun si "Harvey Weinstein i lëvizjes së të drejtave të njeriut".
Siç ndodh gjithmonë në raste të ngjashme, reagimet e para kanë ardhur në mediat sociale. Përdoruesit e Tuiterit janë të ndarë në dy grupe: një palë që thonë se ka ardhur koha që të rishikohet figura e Martin Luther King Jr, ndërsa pala tjetër e cilësojnë këtë një përpjekje të qëllimshme për të bërë pis figurën e tij. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



