Qarkullimi i makinave në Tiranë duket se është mision i pamundur dhe situata sa vjen e rëndohet. Mund të qëllojë që autobuzi të të përplasë, siç i ka ndodhur kësaj fuoristade që përpiqej të çante trafikun mespërmes “Ushtarit të Panjohur”. Hapja e Unazës së Vogël nëntorin e vitit të kaluar, në vend që të zgjidhte problemin e qarkullimit përqark qendrës, e ka vështirësuar atë. Zgjidhja pritej të vinte nga çelja e Unazës së Madhe që lidh zonën e “Pallatit me Shigjeta” me Farkën, por makinat vazhdojnë të vërshojnë mespërmes Tiranës, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim. Në zona si unaza eksistuese, te Zogu i Zi, pranë ish-bllokut, etj, vazhdon të mbizotërojë e njëjta gjendje siç ishte para hapjes së 2 unazave. Megjithatë, Policia Rrugore duket se është e angazhuar të marrë masa për ta përmirësuar gjendjen. Shefi i qarkullimit rrugor në Tiranë, Erion Ahmeti sqaron situatën për TemA TV.
Shiko videon më poshtë
Në ditën e tretë të nisjes së sezonit shkollor, Tirana po përjeton kaosin e saj natyral, me grumbuj makinash nëpër rrugë. Policia Rrugore ka hartuar një plan masash për të siguruar transport të sigurtë të nxënësve. Pranë shkollave instalohen shërbime policore, që ndihmojnë të miturit në kalimin e rrugës dhe disiplinojnë qarkullimin e mjeteve. Plani i masave i Policisë Rrugore për të siguruar transport të sigurtë për fëmijët, parashikon kontrollin për sediljet e posaçme dhe rripat e sigurimit. Ahmeti flet edhe për këtë aspekt.
Shiko videon më poshtë
Makinat janë të përhershme në Unazën e Vogël që përfshin aksin nga Ushtari i Panjohur, prapa hotel “Tiranës”, përballë Muzeut dhe pjesën e Bashkisë apo ministrive. Shefi i Qarkullimit Rrugor për kryeqytetin cilëson këtë situatë si të ngjashme me pjesë të tjera të Tiranës.
Shiko videon më poshtë
Mëngjesi është torturë e vërtetë për çdo drejtues mjeti që ndodhet pranë lulishtes “1 maji”, në krahun e kundërt të Ish-ekspozitës. Por nuk e ka më të lehtë shoferi që kalon në ish-bllok, apo në çdo cep të Tiranës. Kaosi është kudo.



