
OBSH thotë se për momentin nuk ka nevojë për një dozë të tretë të vaksinës. "Për momentin të dhënat nuk tregojnë nevojë për një dozë të tretë", u shpreh Soumya Swaminathan, shkencëtarja kryesore e OBSH-së, në një konferencë për shtyp se përparësia për momentin duhet të jetë rritja e mbulimit në vendet që nuk kanë pasur akoma akses në vaksina.
Sipas ekspertes, nuk mund të marrin një dozë të tretë një kategori e njerëzve, ndërkohë që në shumë vende ka të tjerë që nuk kanë marrë as dozën e parë. "Ne kundërshtojmë fuqishëm dozën e tretë për të gjithë të rriturit në vendet e pasura, sepse nuk do të ndihmojë në ngadalësimin e pandemisë. Të pavaksinuarit do të favorizojnë shfaqjen e varianteve të reja".
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Bruce Aylward, një ekspert tjetër i OBSH -së. "Ka mjaft vaksina për të gjithë, por ato nuk po shkojnë në vendin e duhur në kohën e duhur. Dy doza duhet t'u jepen më të rrezikuarve në të gjithë botën para se të vaksinohen me dozën e tretë ata që e kanë përfunduar ciklin, dhe ne jemi shumë larg asaj situate”.
Deklaratat erdhën menjëherë pasi presidenti amerikan njoftoi planin për të dhënë dozën e tretë për të rriturit duke filluar nga 20 shtatori, pasi ekspertët e CDC thanë se të dhënat konfirmuan një rënie të efektivitetit të dy dozave gjatë muajve të fundit.



