Në një kohë kur inteligjenca artificiale po shndërrohet në një pjesë gjithnjë e më të rëndësishme të jetës publike dhe profesionale, qeveria shqiptare ka hedhur për diskutim një projektligj të ri për rregullimin e saj.
Në një lidhje me inxhinierin e teknologjisë së informacionit, Erion Demiri, u diskutuan risitë dhe sfidat që sjell kjo nismë.
Duke folur për projektin më të fundit të qeverisë, përfshirë edhe portalin “Ylli për fermerët”, Demiri u shpreh se “kur serviret si asistent dixhital është pozitiv. Ka gjetur goxha zbatim në shumë fusha”, duke shtuar se përdorimi i teknologjisë për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave është një hap përpara.
Megjithatë, ai theksoi se mbeten sfida të mëdha në sektorin e bujqësisë.
“Bujqësia ka shumë problematika që nuk lidhen vetëm me teknologjinë. Inovacioni është i rëndësishëm, por pa humbur fokusin tek problemet reale.
I pyetur për ndikimin e portalit tek fermerët që nuk janë të familjarizuar me teknologjinë, Demiri tha se “barriera kryesore mes popullatës dhe teknologjisë ka sjellë mos-përdorim të saj”, duke shtuar se nevojitet “kohë dhe hapësirë për të mësuar dhe për t’u përshtatur”.
Sa i përket ligjit të ri për inteligjencën artificiale, ai e cilësoi atë si pjesë të një debati global.
Rregullimi me ligj i inteligjencës artificiale është një nga sfidat më të mëdha që ka sot kjo fushë. Nuk kemi ligje të qarta se si të punojmë apo si të mbrohemi nga këto shërbime.
Në lidhje me atë se çfarë do të lejohet dhe ndalohet, Demiri u shpreh se ligji është në fazë të gjerë diskutimi.
Po mundohemi të krijojmë një bazë ligjore për diçka që tashmë e kemi mes nesh. Këto sisteme ende bëjnë gabime shumë të mëdha. Madje, shpesh nuk njihen plotësisht as nga vetë krijuesit e tyre”.
Sa i përket institucioneve përgjegjëse, Demiri theksoi se nuk pritet të ketë vetëm një organ të vetëm mbikëqyrës, pasi “këto sisteme prekin pothuajse çdo fushë ku studiojmë dhe punojmë”.
Në fund, ai ngriti shqetësimin për rreziqet në përpunimin e të dhënave.
Përpunimi dhe gjenerimi i të dhënave nga sisteme të tilla mund të sjellë pasoja që mund të jenë edhe katastrofale.



