Ministria e Drejtësisë propozon reformimin e Kodit Penal. Nisma ligjore është prezantuar sot nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, së bashku me drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi.
Që nga miratimi I Kodit penal për herë të parë në vitin 1995, pavarësisht se ka pësuar ndryshime të shumta gjatë këtyre viteve, kjo është hera e parë që ndërmerret iniciativa për një Kod të ri Penal.
Për këtë projekt ka pothuajse një vit që punohet, por puna intensive është zhvilluar muajt e fundit nga një grup pune i ngritur në Ministrinë e Drejtësisë i përbërë nga pedagogë të fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës, ekspertë të së drejtës penale, si dhe një ekip profesionistësh duke përfshirë edhe stafin e ekselencës të Ministrisë së Drejtësisë.
Ky grup është drejtuar nga ish-kryeprokurori Arben Rakipi, ekspert në fushën penale.
Drafti synon adresimin e problematikave serioze që vijnë si rezultat i paqartësisë dhe boshllëqeve të mundshme të dispozitave ligjore, të cilat janë bërë dhe bëhen shkak jo rrallë herë, për interpretime abuzive në vendime gjyqësore.
Kodi i Ri Penal synon reflektimin e vendimeve të shumta të Gjykatës Kushtetuese dhe atyre unifikuese të Gjykatës së Lartë, të cilat shpesh herë kanë dhënë vendime për shfuqizimin e neneve të ndryshme të Kodit, të cilat janë gjetur prej saj në kundërshtim me parimin e kushtetueshmërisë.
Kodi i Ri Penal përveç vendosjes në mënyrë të qartë të instituteve të të drejtës penale, riorganizimin e veprave penale, kriminalizimin e veprimeve të reja që nuk gjejnë vend sot në Kod, synon njëkohësisht uljen edhe të diskrecionit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në dhënien e dënimeve për veprat penale.
Ministria e Drejtësisë planifikon që brenda këtij viti, kjo nismë të depozitohet në Kuvend si një nismë e Qeverisë Shqiptare me qëllim që më pas t’u nënshtrohet procedurave parlamentare.



