
Opozita protestoi sot para Parlamentit, ku si çdo të enjte zhvillohet seanca plenare. Që në nisje të saj, protesta është shoqëruar me përplasje mes qytetarëve dhe policisë. Protestuesit kanë hedhur shashka, tymuese dhe bidona uji në drejtim të policisë. Ndërkohë, tension ka pasur edhe në afërsi të Ministrisë së Brendshme, ku banorët e Unazës së Re u përplasën me policinë që kishte vendosur kordon, e nuk lejonte kalimin drejt Parlamentit.
Një përplasje e tillë ka ndodhur sërish te Parlamenti, ku tentativës së protestuesve për të çarë kordonin policor, uniformat blu i janë përgjigjur me thirrje për të ruajtur qetësinë. Mes turmës që tentoi disa herë të çajë kordonin ishte edhe deputeti i PD-së, Flamur Noka.
Po ashtu, pjesë e protestës janë edhe ish-deputetë të PD-së dhe LSI-së, mes tyre edhe Monika Kryemadhi.
Rreth orës 13:00, protestuesit e nisur nga Parlamenti kanë mbërritur te godina e Policisë së Tiranës.

Vendimi erdhi pas shoqërimit nga policia të disa protestuesve. Ndërkohë, trupat e FNSH-së mbeten në gatishmëri para godinës.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, dhe ish-deputetët Ervin Salianji dhe Flamur Noka ishin gjithashtu para Drejtorisë së Policisë, në përpjekje për të negociuar lirimin e protestuesve.
Pesë orë pas nisjes, protesta u mbyll para selisë blu, nga ku nënkryetari demokrat, Edi Paloka, deklaroi se rruga e opozitës për të rrëzuar qeverinë nuk mbaron sot. 
Paralelisht me protestën e tensionuar, në sallën e Kuvendit seanca ka vijuar normalisht. Tre deputetë të rinj nga opozita i janë shtuar sot Kuvendit.
Ralf Gjoni, Nimet Musai dhe Enada Kapllani u janë bashkuar deputetëve të opozitës që pranuan të mbushin vendet e mbetura vakant pas vendimit të PD-së dhe LSI-së për të djegur mandatet e marra në zgjedhjet e vitit 2017.



