Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj ka mbërritur paraditen e sotme në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë me pranga në duar, i shoqëruar nga policia për të dëshmuar për koncesionin e sterilizimit.
SPAK i dha leje Rrjepaj që të dëshmojë para Komisionit Hetimor.
Në fjalën e tij para komisionit, Rrjepaj deklaroi se të thuash po hetojmë projektin e sterilizimit nuk është e drejtë.
Sipas tij, një deklaratë e tillë është në kurriz të gjithë aktiviteteve të tjera që kryhen brenda këtij projekti.
Sterilizimi është një shkurtim gjuhësor që nuk ka ardhur si rastësi.
Ka qenë një tjetërsim, dhe ndoshta nuk ka qenë rastësi që debati dhe analiza me konkluzionet kanë ardhur si devijim i përkufizimit të këtij projekti.
Do të ishte mirë që kur themi sterilizimi të kuptojmë një projekt që ka objektin e vetë, ofrimin e setit të instrumenteve, ofrimin e veshjeve një-përdorimshe për personelin mjekësor, dezinfektimin e sallave, trajtimin e mbetjeve me risk biologjik si dhe administrimin e repartit qendror të sterilizimit.
Janë këto elementë që përmbajnë projektin që nuk është vetëm sterilizimi.
Jam në dijeni të masterplanit të QSUT të përgatitur nga një kompani gjermane, “Top Consult”, se ka pasur një investim në repartin qendror të sterilizimit, por nuk u përfundua projekti me të gjithë komponentët.
Kujtojmë se ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është nën hetim nga SPAK prej një viti, si i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me dy tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check-up.
Ndërkohë ai ndodhet në burg prej 4 korrikut, nën një akuzë tjetër, atë të abuzimit me fondet e BE kur drejtonte agjencinë SASPAC.



