Anëtari i Këshillit Bashkiak i PD në Vlorë, Gjergji Nika, në një intervistë për MCN, ka kundërshtuar ashpër mënyrën e zgjedhjes së kryebashkiakut të Vlorës, Elis Halili. Nika tha se procesi u krye në kundërshtim me ligjin, pasi nuk u hodhën në votim të tre nënkryetarët, ndërsa Halili u përzgjodh “me arrogancë” nga shumica socialiste.
Sipas tij, Halili është një emërim politik dhe nuk përfaqëson qytetarët, ndërkohë që PD është duke përgatitur një kandidat të fortë për zgjedhjet e ardhshme në Vlorë, ndërsa nuk përjashtoi as mundësinë e garimit vetë.
Intervista e plotë:
-Z. Nika, Elis Halili është përzgjedhur si kryebashkiak i parakohshëm i Vlorës. Ju braktisët mbledhjen dhe kundërshtuar emërimin. Çfarë nuk shkoi? Pse u larguat nga mbledhja?
-Ne kemi qenë shumë të qartë në atë që kemi shprehur, ne kemi kërkuar të futen në garë 3 nënkryetarët. Në bazë të ligjit kur kemi 3 nënkryetar është që të kalohen në votë të 3 dhe të votohej për një prej tyre. Me arrogancë PS kalojë në votë të hapur emrin e Elis Halilit. Ne kemi kërkuar shfuqizim të aktit dhe rasti më i freskët të kryetarit të parlamentit që u votua me votë të fshehtë ndërkohë në rastin tonë është kaluar me arrogancë.
-PD e Vlorës thotë se Elis Halili nuk përfaqëson qytetarët dhe se është emërim politik, pse?
-Halili është prej 7 vitesh drejtor në firmën Fusha dhe nuk e kuptoj si një nënkryetar të vijë në krye të bashkisë për të mbyllur projektet që janë lënë pezull.
-Në kushtet kur Vlora është pa një kryetar bashkie, çfarë bëhet me projektet e lëna pezull?
-Asgjë nuk bëhet dhe thuhet që këto pezull do i vazhdojë zoti Halili. Është e pamundur të vazhdohet menjëherë dhe do të ketë një kaos në qytet.
-Kush e drejton sot Vlorën dhe çfarë është bërë me urdhrat e kryeministrit për largimin e drejtorëve dhe zëvendësimin e tyre?
-Drejtorët janë larguar dhe janë emëruar 5 prej tyre ndërsa vendet e tjera janë ende vakante. Nuk po gjehen persona për këtë sepse të gjithë mendojnë që do të largohen sapo të vijnë.
-A do të jetë PD pjesë e zgjedhjeve ?
-Po përgatisim një kandidat që do të jetë më i miri që kemi patur në 30 vite. Kandidati do jetë një nga më të mirët. Patjetër dhe unë jam gati të kandidojë, por kushdo që të vijë nga radhët tona do të jetë mëse gati për të përballuar cdo sulm të mundshëm. Ne nuk trembemi të marrim ne në dorë bashkinë e Vlorës sepse jemi ekspertë për menaxhimin e fondeve.



