
Një pronar fasoneri në Fushë-Krujë, i quajtur Arben Dedja, është plagosur mbrëmjen e sotme në ambientet e biznesit të tij. Nuk dihet ende autori i kësaj ngjarje, ndërsa ngjarja ka gjasa të ketë ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit.
Dedja, i cili është plagosur në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën, fillimisht i është drejtuar spitalit të qarkut, ndërsa më pas është transportuar në spitalin e Traumës në Tiranë.
"Më datë 01.05.2021, rreth orës 18:50, ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore shtetasi A. D., 61 vjeç, banues në Krujë, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit është plagosur me armë zjarri në këmbë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe vijon krehja e zonës si dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit për kapjen e autorit. Në ambientet e Policisë janë shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen si dhe janë sekuestruar pamjet filmike për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes,"- ka njoftuar policia.



