
Prokuroria për Krimet e Rënda ka kërkuar 64 vite burg në total për bandën e Emiliano Shullazit.
Organi i akuzës kërkoi sot 17 vite burg për Shullazin, ndërsa për Gilmando Danin 15 vjet.
Ndërkohë, për pjesëtarët e tjerë të grupit, Endrit Qyqja e Endrit Zela, u kërkua 11 vite burg për secilin, ndërsa 10 vite për Blerim Shullazin.
Seanca e sotme në Gjykatën e Krimeve të Rënda nisi në orën 09:00, nën masa të forta sigurie. Që në orët e para të mëngjesit, forca të shumta policie kanë rrethuar Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Pak ditë më parë, dosja e Shullazit shkaktoi kaos në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi prokurorët refuzuan hedhjen e shortit për të gmarrë pjesë në gjykimin e çështjes, pas largimit të Elisabeta Imerajt, e cila u emërua drejtuese e prokurorisë në Tiranë dhe Eneid Nakucit me pretendimin se është sëmurë.
Veprimi i prokurorëve u pasua menjëherë nga tre urdhra transferimi të përkohshëm në rrethe për tre prej tyre.



