Presidenti rus Vladimir Putin iu është drejtuar sot zyrtarëve rusë dhe publikut në fjalimin e tij vjetor për gjendjen e kombit. Ai nisi duke thënë se ky fjalim është një “vështrim drejt së ardhmes”, duke theksuar se ka çështje për tu zgjidhur në lidhje me zhvillimin e vendit.
Putin fillon duke prekur “planet afatshkurtra” të Rusisë dhe “përpjekjet” e popullit rus. Ai përshëndeti popullatën, duke i falënderuar për mbështetjen e asaj që ai e quan “operacioni ushtarak special” në Ukrainë.
Putin vlerësoi heronjtë në vijën e parë dhe në llogore, që po vuajnë por që kanë mbështetjen e Rusisë, ndërsa u ndal gjithashtu edhe te Perëndimi, duke kritikuar ato që ai i sheh si prirje koloniale, duke theksuar se në fakt qëllimi i vetëm është shkatërrimi i Rusisë.
Udhëheqësi rus tha se SHBA është “absolutisht e vendosur” për të nxitur ndarjen në vend.
Putin falënderoi gjithashtu bizneset ruse që kanë dërguar miliarda për bamirësi në dy vitet e fundit. Ai tha se njerëzit po dërgojnë pako në vijën e frontit për të mbështetur ushtarët që luftojnë në Ukrainë, duke treguar se “i gjithë vendi është me ta”.
Sipas tij, uniteti politik i Rusisë është një shtyllë kyçe dhe se nuk do të lejojë askënd të ndërhyjë në punët e brendshme.
Dhe siç ndodh zakonisht me fjalimet e Putinit, ai shfrytëzoi rastin për të kritikuar Perëndimin. Ai tha se Perëndimi donte të krijonte një “shtet dekadent”, por në vend të kësaj ata kanë humbur.
Putin vazhdon të lavdërojë Rusinë dhe popullin e saj, duke thënë se ka pasur “shekuj uniteti” që ka krijuar një forcë të pathyeshme. Ai tha se Rusia është shtyllë e demokracisë, duke theksuar se nuk do të lejojë askënd të ndërhyjë në punët e saj të brendshme.
Ky fjalim vjen më pak se dy javë pas vdekjes së Alexei Navalny, një prej kundërshtarëve më të ashpër të Putinit.



