Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i dërgoi një mesazh të ashpër dhe të qartë qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Edi Rama, lidhur me arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën Fredi Beleri, i akuzuar për blerje votash.
Gjatë një interviste për mediat greke, Mitsotakis deklaroi se nuk do të pranohet një sjellje e tillë në kurriz të pakicës greke.
Ai deklaroi se do të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë, por edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Është e papranueshme dhe e paimagjinueshme ajo që ndodhi me Fredi Belerin. Unë shkova në Himarë dhe isha Kryeministri i parë që vizitova rajonin dhe u zotova se Greqia do të mbetet gjithmonë ndihmëse e pakicës etnike greke.
Këtë ia kam bërë të qartë Kryeministrit shqiptar. Shqipëria duhet ta dijë shumë mirë se nëse një politikë e tillë do të vazhdojë, do të ndikojë si në marrëdhëniet tona dypalëshe, ashtu edhe në rrugën e saj drejt BE-së.
Nuk do të pranoj qëndrime të tilla në kurriz të pakicës, sidomos 48 orë para zgjedhjeve.
Do të ketë efekte të rëndësishme në marrëdhëniet greko-shqiptare dhe në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, të cilën ne kishim deklaruar se do ta mbështesim.



