100 vjet nga Kongresi i Lushnjës/ Ruçi: Këtu nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur (VIDEO)

100 vjet nga Kongresi i Lushnjës/ Ruçi: Këtu nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur (VIDEO)

“Në Lushnjë nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur e parlamentare”, deklaroi sot kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili mori pjesë në ceremoninë festive të organizuar në Shtëpinë e Kongresit të Lushnjës.

Në këtë veprimtari, me të cilën nisi kremtimi i kësaj ngjarjeje madhore të historisë sonë kombëtare, morën pjesë deputetë dhe ish- deputetë, ish-drejtues të Kuvendit, trashëgimtarë të protagonistëve, delegatëve, deputetëve, ministrave e shtetarëve që zgjodhi Kongresi i Lushnjes, autoritete lokale dhe mijëra qytetarë.

Pas fjalës së mirëseardhjes së kryetarit të Bashkisë, Fatos Tushe, përshëndeti kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

“Shteti i shqiptarëve deri në shpalljen e pavarësisë, kishte qenë një planet i largët për shqiptarët. Por edhe pas shpalljes së pavarësisë, shteti rrezikonte të zhdukej e bashkë me të edhe Shqipëria”, theksoi ai.

“Nga kjo Shtëpi dhe nga ky Kongres nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur e parlamentare. Nga kjo Shtëpi dhe nga ky Kongres nisi diplomacia shqiptare në mbrojtje të tërësisë territoriale dhe integritetit të Shqipërisë. Nga kjo Shtëpi dhe nga ky Kongres nisi ndërtimi i administratës shqiptare, arsimit, shkollave dhe forcave të rendit”, nënvizoi kreu i Kuvendit.

Sipas tij, në vitet e para të jetës parlamentare çelën filizat e parë të pluralizmit demokratik.

“Sot, një shekull pas kësaj vepre themeltare për kombin dhe shtetin shqiptar, le të shprehim mirënjohjen tonëpër veprën monumentale të delegatëve të Kongresit të Lushnjës, burrave që përfaqësuan krahinat e Beratit, Skraparit, Mallakastrës, Lushnjës, Fierit, Dibrës, Matit, Durrësit, Shijakut, Kavajës, Tiranës, Elbasanit, Peqinit, Gramshit, Dumresë e Sulovës, Gjirokastrës, Libohovës, Përmetit e Këlcyrës, Delvinës, Tepelenës,  Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Leskovikut, Hasit e Lumës, Gjakovës, Gashit dhe Shkodrës. Vizioni, vendosmëria dhe kontributi i tyre e bënë Shqipërinë me Parlament.

Mirënjohje të përjetshme për këtë vepër që nuk do të harrohet edhe deputetëve të parë të Shqipërisë, të caktuar nga Kongresi i Lushnjës. Këta u bënë legjionarët e parlamentarizmit shqiptar dhe për këtë fakt historik kombi dhe historia do tu jenë përjetë mirënjohës”, nënvizoi në përshëndetjen e tij kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Kongresi i Lushnjës krijoi Senatin, Parlamentin e parë shqiptar (më vonë Këshilli Kombëtar), si organ legjislativ, i cili përbëhej nga 37 anëtarë të zgjedhur nga vetë delegatët e Kongresit. Kongresi shprehu në formë të organizuar politike vullnetin e shqiptarëve për të marrë fatin e vendit në duart e veta. Në këtë periudhë afirmohen për herë të parë parimet e parlamentarizmit: emërimi dhe shkarkimi i Qeverisë nga Senati, si dhe ushtrimi i kontrollit parlamentar ndaj saj. Megjithëse parlamenti i parë shqiptar e shtriu veprimtarinë e tij legjislative në një periudhë të shkurtër kohe, ai arriti të miratonte disa ligje të rëndësishme. Akti më i rëndësishëm ishte Statuti i Lushnjës që përbënte një ligj kushtetues. Veprimtaria legjislative e Këshillit Kombëtar mori fund në dhjetor të vitit 1920, kur Këshilli u shpërnda për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të para në Shqipëri (mars 1921).

 09:00h- Kongresi i Lushnjes/ Shënohet 100 vjetori i parlamentarizmit shqiptar

Në kuadrin e veprimtarive për kremtimin e 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, nën kujdesin dhe me mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë, sot do të organizohen disa veprimtari përkujtuese.

Më 1920 Kongresi i Lushnjes  krijoi Senatin dhe Parlamentin e parë shqiptar si organ legjislativ.

Edhe në kuadër të kësaj dite historike, sot priten të zhvillohen një sërë veprimtarish, të cilat do të nisin nga qyteti i Lushnjes deri në finalizimin tek “Pallati i Kongreseve”.

Veprimtaritë e sotme:

Ora 9:30-10:00

Ceremonia në Shtëpinë e Kongresit në Lushnje

Përshëndet Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ora 11:30-12:00

Çelja e Ekspozitës dhe shfaqja e Dokumentarit “100 vjet parlamentarizëm shqiptar”.

Pallati i Kongreseve, holli para sallës së Albanologjisë.

Ora 12:00-13:30

Konferenca shkencore “100 vjet parlamentarizëm shqiptar”.

Pallati i Kongreseve, salla  e Albanologjisë.

Përshëndet Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Gjithashtu për kremtimin e 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar është ripërpunuar dhe publikuar Kënga e Kongresit të Lushnjës.

Kongresi i Lushnjës i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy